Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi në profilin zyrtar kanë kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të japë qëndrimin e saj lidhur me ligjin për KPM-në, ligj ky që u shty përpara në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti.
AGK ka kërkuar nga shefja e shtetit që të mos kufizohet vetëm në rolin formal të dekretimit të ligjeve dhe që të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe të shtypit si bazë e një demokracie të një shteti që asprion BE-në.
Pas miratimit të Ligjit, OSBE, Zyra e BE-së dhe ambasadat e huaja në vend kanë reaguar pasi Ligji në fjalë nuk i përmbush standartet e BE-së dhe pasi VV s’ka përfillur rekomandimet.
Njoftimi:
AGK-ja i kërkon Presidentes qëndrim publik për Ligjin e KPM-së
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po ndjek me interesim reagimet pas miratimit javën e kaluar të Ligjit për KPM-në, nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes.
AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve.
Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.
Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE.