Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se ka themeluar Qendrën për Novacion, Laborator dhe Teknologji në Fakultetin e Arkitekturës, e cila u shtohet dhjetë qendrave dhe instituteve të tjera të themeluara gjatë vitit të fundit.
Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim për themelimin e kësaj Qendre në mbledhjen e fundit.
Kjo nismë, sipas UP-së, synon të fuqizojë kapacitetet hulumtuese dhe edukative të fakultetit.
Kjo Qendër synon të shërbejë si platformë për avansimin e njohurive teknologjike, promovimin e hulumtimit shkencor si dhe aplikimin e metodave bashkëkohore në arkitekturë, urbanizëm dhe ndërtim.
“Ideja është që QNLT-ja të shërbejë si një qendër e specializuar që ofron resurse dhe mundësi për studentët, profesorët dhe profesionistët e fushës së arkitekturës, urbanistikës dhe inxhinierisë për të zhvilluar dhe aplikuar inovacione teknologjike” – thuhet mes tjerash në komunikatën e UP-së.