Komuna e Sharrit ( ish-Dragashi) ka mikpritur udhëheqës dhe pilotë të njohur të Federatës Aeronautike të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në këtë manifestim të përzemërt dhe vëllazëror u vendos që një nga pikat më të larta dhe më ideale të fluturimeve në malet e Sharrit, të marrë emrin e pilotit të ndjerë Hizdri Gubetini.
Kjo nismë e filluar kohë më parë nga vëllezërit Arbër dhe Zyber Krasniqi, nuk është bërë publike derisa ka marrë miratimin definitiv nga organet ekzekutive të komunës së Sharrit.
Vëllezërit, Krasniqi të paepur dhe fjalë pak aktualisht prioritet kanë mbajtjen e Aeronautikës shqiptare në hap me përfaqësueset më të njohura të botës.
Në këtë manifestim dedikuar pilotit ikonë nga Podujeva, Hizdri Gubetini, përveç kolegëve,familjareve e miqve të shumtë mori pjesë edhe Z. Bexhet Xheladini, kryetar i komunës së Sharrit.
Prania e tij dhe e një numri të konsideruar mërgimtarësh që kanë ardhur për pushime nga vendet e Perëndimit, në Atdheun e tyre e bënë edhe më madhështor këtë solemnitet.
Z. Xheladini gjatë diskutimit të tij të shkurtër e përmbajtjesor premtoi që vitin e ardhshëm rruga që shpie deri tek pista e fluturimeve aeronautike, e që tani e tutje do ta mbajë emrin e pilotit legjendar të Republikës së Kosovës, Hizdri Gubetini, do të jetë e asfaltuar.
Ky premtim i ka gëzuar dhe motivuar edhe shumë të rinj e të reja të Komunës së Sharrit, që me fluturime mbi lartësitë e qiellit dëshirojnë t’i shijojnë bukurit e këtyre maleve perla të Evropës Juglindore.
Kryepersonashi i ngjarjes së sotme Hizdri Gubetini, me këtë sport ka filluar të merret në fillim të vitit 2000. Dashuria e pakufishme dhe puna sistematike bën që ai të shënoj sukses pas suksesi.
Gubetini si garues i zhdërvjellët dhe instruktor profesionist i Aeronautikës, ka lënë gjurmë të pashlyera si në garat brenda vendit, ashtu në ato rajonale dhe ndërkombëtare.
Më 24-tetor të vitit 2021,në Festivalin Ndërkombëtar të Turqisë “Oludeniz Air Games 2021”Hizdriu pati zënë vendin e parë, duke lënë pas vetes aeronautë me emër të 55- vendeve të botës.
Hizdriu paragllajdizmin si sport relativisht të rinj në Kosovë dhe Shqipëri, e ndjente si ushqimin më të këndshëm të shpirtit të tij. Herë- herë i kapluar nga frika që mund të mbetet jashtë garave fluturaken e merrte edhe me qira.
fakt mjafton për të kuptuar gjithsecili prej nesh përkushtimin e Hizdriut, ndaj këtij sporti sa atraktiv aq edhe me rreziqe për jetën.
Gubetini kudo që ka marrë pjesë ka fituar çmime dhe medalje të shumta. Ai po ashtu ka arritur të thyej edhe rekordet e më hershme në garat e zhvilluara në Kosovë, Shqipëri, Itali, Slloveni, Turqi, Bullgari, Qipro, Serbi dhe Maqedoni të Veriut .
Një fluturim të jashtëzakonshëm dhe me plot akrobacione që do të kujtohet gjatë në stil dallëndysheje e pati bërë mbi malet e Moknës të komunës së Burimit, duke qëndruar orë të tëra në lartësitë e qiellit të hapur.
Kolegë, shokë e miq të Federatës Aeronautike të Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Hizdriut, në këtë fushë me pietet e mallëngjim, çdo vit organizojnë përvjetorët e kalimit të tij në amshim.
Në kuadër të këtyre përvjetorëve mbahen edhe një varg garash me emrin e tij. Z. Përparim Rama, kryetar i komunës së Prishtinës, vitin e kaluar duke mosharruar shkëlqimin e të ndjerit Hizdri Gubetini, në këtë sport të rrallë, ka pritur në Zyrën e tij, zonjën Nafije Rexhepi- Gubetini dhe dy djemtë e saj, Almirin dhe Ensarin, të cilët kanë mbetur shumë herët pa kryefamiljarin, bashkëshortin dhe prindin, Hizdri Gubetini.