Zjarret në Prevallë ende nuk janë shuar, kërkohet ndihma e KFOR-it

Kosova

Zjarret në Prevallë ende nuk janë shuar, kërkohet ndihma e KFOR-it

Më: 12 gusht 2024 Në ora: 18:38
Foto nga vendi i ngjarjes

Zjarret në malet e Prevallës ende nuk janë shuar. Ende vazhdojnë te jenë aktive disa vatra të zjarreve pyjore në Parkun Kombëtarë “Sharri”.

Edhe të dielen dhe sot ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, njofton Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës

“Së bashku me stafin e DAPK “Sharri”, në monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mbi 20 zjarrfikës nga brigada e zjarrfikësve të Prizrenit dhe një ekip e Policisë së Kosovës nga stacioni i Prizrenit. Në shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij janë angazhuar edhe disa vullnetarë, thuhet në këtë njoftim.

Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtaret e FSK për të bërë vlerësimin e situatës për ndërmarrjen e masave për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.

Shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, erërave të forta dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me automjete përkatëse për shuarjen e zjarreve. 

Si pasojë zjarri po vazhdon të përhapet edhe më tutje në drejtim të fshatit turistik të Prevallës dhe tashmë ka përfshirë edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit”.

Bëhet e ditur se sot gjatë paradites, drejtori i DAPK “Sharri” Bajram Kafexholli, ka realizuar një takim edhe me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët tash disa ditë është kërkuar intervenimi me helikopter për shuarjen e zjarrit.

Përfaqësuesit e KFOR-it, kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat