​Kaq pacientë me Covid-19, infektologu tregon se a pritet që të ketë rritje të numrit

Kosova

​Kaq pacientë me Covid-19, infektologu tregon se a pritet që të ketë rritje të numrit

Më: 13 gusht 2024 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

13 pacientë të infektuar me Covid-19 dhe një tjetër me ‘Ethet e Nilit’ Perëndimor po trajtohen aktualisht në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Infektologu në këtë klinikë, Lirim Tafilaj në një intervistë për KosovaPress thotë se gjendja e tyre pacientëve është stabile, derisa potencoi se mosha e tyre është e shtyrë.

Sipas tij pritet që të ketë një rritje të lehtë të numrit të pacientëve të infektuar me Covid-19.

Tafilaj potencoi se simptomat e këtij virusi në fillim të shfaqjes së tij dhe tani, kryesisht janë të njëjta, por ndonjëherë edhe mund të ndryshojnë, për shkak të vaksinimit dhe imunitetit.

Ndërkaq, sa i përket virusit ‘Ethet e Nilit’ Perëndimor, Tafilaj thekson se nuk është ngjitës.

"Momentalisht pacientë të shtruar në Klinikës Infektive janë diku rreth 13, prej tyre të asistuar me oksigjeno terapi, janë dy pacientë. Gjendja e përgjithshme është stabile e pacientëve. Moshat zakonisht janë mosha të shtyera. Por, në përgjithësi gjendja është stabile...A pritini të ketë rritje të numrit të pacientëve me Covid? Sipas përvojës nuk presim, presim të kemi një rritje, jo ndonjë rritje e madhe, përgjithësi ka qenë vaksinimi, pastaj edhe imuniteti. Kështu që, ka një rritje për shkak të grumbullimit të personave ose lëvizjeve pak më shumë, sepse është sezoni e verës tani...A po vëreni dallim të simptomave në fillim që ka qenë Covidi dhe tani pas vaksinimit? Në përgjithësi, simptomatologjia është e njëjtë, ndryshon aktualisht për shkak të formës ndonjëherë të virusit. Për shkak se ndërron formën, mund të ndryshojnë edhe një simptomatologji e lehtë. Simptomat e përgjithshme janë të njëjta, siç janë temperatura, kokë dhimbja, dhimbje të trupit, lodhje, plogështi, kollë nëse preket sistemi respirator", thotë Tafilaj.

Për KosovaPress, Tafilaj tregon se pas vaksinimit, simptomat janë më të lehta për pacientët. Ai thotë se varësisht nga situata epidemiologjike në vend IKSHPK-ja së bashkë e Ministrinë Shëndetësisë bëjnë thirrje për vaksinim.

"Çdo herë themi se pas vaksinimit kemi pasur edhe simptomat më të lehta, po ashtu edhe pas krijimit të imunitetit natyror, simptomatologjia është më e lehtë. Por, çdo herë instituti bënë thirrje sidomos për moshat më të rritura, moshat e shtyra mbi 65 vjeç, moshat që kanë sëmundje përcjellëse të tjera, për vaksinimin shtesë...Thirrjet bëhen çdoherë dhe varen pikërisht prej Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, në marrëveshje me situatën epidemiologjike në vend. Ata fillojnë qoftë ri vaksinat, qoftë thirrjet për ri vaksinim...A vlerësoni sipas situatës aktuale. Covid 19 a duhet të bëhet ri thirrje për vaksinim? Janë thirrjet në institut, është koha e pranverës. Pastaj sipas OBSH-së është koha në vjeshtë që është thirrja për rivaksinim", potencon Tafilaj.

Infektologu, Lirim Tafilaj thotë se aktualisht në Klinikën Infektive po trajtohet një pacient me ‘Ethet e Nilit’ Perëndimor. Ai tregon se ky virus nuk është ngjitës por bartet përmes pickimit të mushkonjave.

Ai tregon se simptomat e këtij virusi janë temperatura, kokë dhimbja, dhimbje trupi, plogështi, e në rast të rralla pacientëve iu preket sistemi nervor qendror. 

"Momentalisht është i shtrirë një pacient me ‘Ethet e Nilit’ Perëndimor. Gjendja e tij është stabile. Duhet bërë krahasimin apo dallimin mes virusit të etheve të Nilit dhe virusit Covid 19. Virusi i ‘Etheve të Nilit’ Perëndimor bartet përmes pickimit të mushkonjave. Nuk është ngjitës, nuk bartet nga personi në person dhe është me një përqindje, nëse në 100 pacientë të infektuar me virus të Nilit Perëndimor, 80 prej tyre nuk shfaqin asnjë simptomë. Rreth 20 prej tyre mund të kenë simptoma të lehta siç janë temperatura, kokë dhimbja, dhimbje trupi, plogështi ndërsa më pak se 1 për qind mund të prek sistemi nervor qendror si meningjit...04:46 Pacienti është prej javës së kaluar. Fillimisht ka qenë gjendja më e rënduar. Për momentin gjendja është më stabile, besoj që përcillet edhe ditëve në vazhdim dhe lirohet", thotë Tafilaj.

Ditë më parë është konfirmuar rasti i parë me virusin e “Ethet e Nilit” në Kosovë.

Që nga muaji korrik, disa vende të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë raportuar raste të Virusit të Nilit Perëndimor: Spanja, Italia, Greqia, Austria, Hungaria, Franca, Serbia dhe, së fundi edhe Shqipëria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat