A do të ketë keqpërdorime të mjeteve për libra?

Kosova

A do të ketë keqpërdorime të mjeteve për libra?

Më: 15 gusht 2024 Në ora: 21:22
Ilustrim

Nuk kanë mbetur edhe shumë javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor.

Edhe kësaj radhe Ministria e Arsimit ka vendosur që të bëjë subvencionimin e teksteve e mjeteve shkollore njëjtë sikurse edhe në vitin e kaluar.

Por në rrjetet sociale prindërit kanë filluar planifikimet për sigurimin e librave të bëjnë në forma të tjera.

“Pershendetje!Pasi po afrohet viti shkollor, po fillojmi ti dhurojmi apo ti ndrrojmi librat! Mua me duhen librat e klase 9 ! I kam disa te klase 8 per ti dhurar apo ndrruar !”, shkruhet në një postim në rrjetet sociale.

E për ekspertin e arsimit,Rinor Qehaja është e pritshme një keqpërdorimi i tillë i parave nga prindërit.

“Keqpërdorimi i mjeteve për blerjen e teksteve shkollore nuk është befasi, por shpresoj ky numër të jetë i reduktuar dhe në asnjë moment të mos na shpërqendroj në qëllimin e mirë që ofron subvencionimi i drejtpërdrejt tek prindërit. Komuniteti i prindërve vet, komuniteti i shkollave, duhet të punojë në mirinformimin gjithashtu edhe MASHTI që rastet si kjo të mos na kthehen në normale”, vlerëson Qehaja.

E që rastet të tilla të mos përsëriten, nga Instituti Pedagogjik, kërkojnë që të merren veprime për parandalimin e keqpërdorimin e parave të ndara për blerjen e librave e mjeteve shkollore.

“Duhet të paraprimë një parandalimi veprimi të tillë nëse ekziston nuk duhet të lejohet të keqpërdoret se kjo është pare publike, është pare e jona një çfarë dy mënyre që është ajo. E dyta kjo është sanksionuar edhe me ligje që nëse dikush e keqpërdor këtë duhet të përgjigjet penalisht”, shprehet Ismet Potera.

Sipas njoftimit të MAShTI-t, për nxënësit e shkollave fillore nga klasa e 1 deri në klasën e 5-të do të ndahen nga 80 euro për çdo nxënës, ndërsa për nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët, nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të, do të ndahen nga 110 euro.

Ministrja Nagavci, ka thënë që sipas të dhënave zyrtare, brenda 24 orëve kanë aplikuar gjithsej 60,244 prindër për subvencionim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat