​Komuna e Shtimes bëhet edhe me një automjet të zjarrfikësve, donacion nga Gjermania

Kosova

​Komuna e Shtimes bëhet edhe me një automjet të zjarrfikësve, donacion nga Gjermania

Më: 18 gusht 2024 Në ora: 12:16
Donacioni nga Gjermania

Komuna e Shtimes ka pranuar një automjet të zjarrfikësve si donacion nga shteti i Gjermanisë, përkatësisht nga Qarkut Unna në Nordrhein Westfalen.

Kryetari i kësaj komune ka thënë se ky donacion është dëshmi e fortë e bashkëpunimit të frytshëm dhe të suksesshëm që kanë ndërtuar me partnerët gjermanë, sidomos nga vizita e tyre e fundit në këtë rajon me takime të nivelit të lartë udhëheqës.

“Lajm i jashtëzakonshëm arritja dhe pranimi i automjetit të Zjarrfikësve - donacion nga partnerët gjermanë të Qarkut Unna në Nordrhein Westfalen. Në prani të mikut të Shtimes dhe të gjithë kombit shqiptar, ish-deputetit të Kuvendit të NRW-së, Falk Heinrichs, jemi të lumtur që pranuam tashmë edhe automjetin e zjarrfikësve si donacion nga miqtë dhe partnerët tanë të dashur nga Qarku Unna në Nordrhein Ëestfalen, në Gjermani. Ky automjet i ri dhe modern që nga sot do të luajë rol kyç në rritjen e kapacitetit dhe efikasitetit të shërbimit tonë lokal të zjarrfikësve, duke ndihmuar në mbrojtjen e Komunës tonë dhe reagimin më të shpejtë e më efektiv ndaj situatave emergjente të zjarreve”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ai më tej ka thënë se falë këtij partneriteti, me ndihmën dhe përkushtimin e Qytetarit të Nderit të Shtimes, Hartmut Ganzke, MdL më parë patën pranuar edhe një automjet për mbledhjen e mbeturinave, i cili rritë ndieshëm kapacitetin tonë për higjienë publike si dhe për menaxhim të mbeturinave.

“Presim me padurim vazhdimin e këtij bashkëpunimi të frytshëm me aleatët tanë nga Gjermania dhe kemi plane për projekte të tjera në fusha të ndryshme si sport, arsim, art dhe kulturë. Bashkëpunimi ynë me partnerët e Qarkut Unna është shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur punojmë së bashku për një qëllim të përbashkët dhe për të mirën e banorëve tanë”, shkruan ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat