Lufta e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga luftërat më të njohura të ndodhura në Evropën Mesjetare. Kështu u tha në Konferencën Shkencore “Lufta e Dytë e Kosovës, 17-19 tetor të vitit 1448”, e organizuar nga Komuna e Obilqit, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në të cilën është trajtuar rëndësia e betejës së vitit 1448.
Ndërsa është theksuar nevoja që përmes organizimit të këtyre konferencave të rikujtohet kjo betejë e historisë së Kosovës e cila pothuaj ishte një rrezik mbytje në sirtarët e arkivave të rëndësishme evropiane si dhe në mendjen e disa brezave të ri.
Lulzim Lajçi nga Institutit Albanologjik në Prishtinë, derisa ka treguar për Luftën e Kosovës të vitit 1448, shtoi se kjo konferencë shkencore do të shërbejë si shtysë e mirë për të trajtuar edhe më tej materiet e caktuara shkencore.
Lajçi: Konsiderohet si një nga luftërat më të njohura në Evropën Mesjetare
"Lufta e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga luftërat më të njohura të ndodhura në Evropën Mesjetare. Fusha e Kosovës me 17-19 tetor 1448 u bë mejdan midis aleancës Evropës Juglindore të udhëhequr nga Janosh Huniadi dhe të ushtrisë osmane me Sullan Muratin e dytë...Pra, kjo konferencë shkencore do të shërbejë si shtysë e mirë për të trajtuar edhe më tej materiet e caktuara shkencore", tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka treguar për veçantinë e kësaj konference.
Gashi: Po trajtojmë një temë të veçantë
"Po trajtojmë një temë të veçantë që ndoshta kahmoti është dashtë të trajtohet. Është nder i veçantë që Obiliqit i është drejtuar Instituti Albonologjik për përcaktimin e një parcele e cila i dedikohet obilsikut të betejës së Kosovës më 1448. E veçantë është sepse kjo konferencë po i paraprinë obiliskut i cili do të vendoset në pjesën e Llazareves, një zonë që është përcaktuar dhe është më e lartë sesa monumentet tjera që i përkasin kësaj beteje. Besoj se këto punime shkencore që do t'i bëni sot, ne do të bëjmë përpjeke që deri më 19 tetor t'i keni në një libër të vetme", tha Gashi.
Ndërsa, profesor, Skender Asani nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ka përmendur dy komponentët që ndërlidhen me historinë e popullit tonë.
Asani: Kjo betejë u zhvillua në Kosovë
"Kthesat më të mëdha historike kanë ndodhur si rezultat i aleancave që iu kanë paraprirë betejave ushtarake, kurse fati i popujve është gatuar sipas konstalacionit të forcave që kanë prodhuar aleancat. Kështu ishte edhe me betejën e dytë të Kosovës, si një ndër betejat më të njohura të ndodhura në Evropën Mesjetare, që u zhvillua në tetor të vitit 1448, e cila prodhoi një realitet të ri në Evropë, pas dështimit të aleancës së udhëhequr nga Janosh Huniadi kundër forcave osmane, të udhëhequra nga Sulltan Murati II. E rëndësishmja e kësaj beteje ka dy komponentë që ndërlidhen me historinë e popullit tonë. E para, kjo betejë u zhvillua në Kosovë, dhe e dyta, në këtë betejë, ndonëse me vonesë, mirën pjesë edhe ushtarët arbërorë të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu...Sido që të jetë, rezulton që shqiptarët ishin faktor të pashmangshëm i betejave ballkanike evropiane kundër invadimeve të huaja. Dhe me këtë dëshmohet një fakt që ndërlidhet me vet ekzistencën e popullit shqiptar, i cili u përplas me sfidat e shumta identitare si pasojë e të qenit i rreshtuar në ndonjë aleancë, si produkt i konstelacionit të forcave", tha Asani.
Ndërsa, studiuesi, Dom Nikë Ukëgjini derisa ka theksuar rëndësinë e kësaj konference, ka thënë se beteja e parë e Kosovës e vitit 1389 ka mbetur në histografinë e sotme ende si një foshnje jetime dhe si ngjarje historike e mjegulluar, krahasim me betejën e dytë të Kosovës të vitit 1448, e cila sipas burimeve historike konsiderohet si betejë shumë e njohur.
Ukëgjini: Sipas burimeve historike konsiderohet si betejë shumë e njohur
"Organizimi i kësaj konference është nevojë për të rikujtuar këtë betejë të historisë sonë e cila pothuaj ishte një rrezik mbytje në sirtarët e arkivave të rëndësishme evropiane si dhe në mendjen e disa brezave të ri. Sa me tepër që dëgjojmë e lexojmë për këto ngjarje, aq më tepër na zgjohet ndjenja e trashëgimisë së brezave arbëror dje dhe sot. Beteja e parë e Kosovës e vitit 1389 ka mbetur në histografinë e sotme ende si një foshnje jetime dhe si ngjarje historike e mjegulluar, krahasim me betejën e dytë të Kosovës të vitit 1448, e cila sipas burimeve historike konsiderohet si betejë shumë e njohur", tha ai.
Ndërsa, gjatë kësaj konference janë lexuar edhe kumtesa në të cilat është theksuar roli i Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Lufta e Dytë e Kosovës (1448) sipas kronikave klasike osmane të shekullit XV-XIV, strategjia luftarake dhe roli i luftërave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në mbrojtën e vendit dhe Evropës e tema të ndryshme që i përkasin betejave në Kosove.