Nagavci tha se s’ka pranuar asnjë ankesë për librat, nga Komuna e Vushtrrisë e thonë të kundërtën

Kosova

Nagavci tha se s’ka pranuar asnjë ankesë për librat, nga Komuna e Vushtrrisë e thonë të kundërtën

Më: 2 shtator 2024 Në ora: 12:39
Ilustrim

Përkundër deklarimeve të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se fillimi i vitit të ri shkollor ka nisur pa shqetësime, ndryshe kanë thënë nga Komuna e Vushtrrisë.

Drejtori i Arsimit të kësaj komune, Albanez Tahiraj, ka thënë se i kanë paraqitur shqetësimet e tyre tek Ministria e Arsimit, pasi që një numër i madh i nxënësve kanë mbetur pa libra.

Siç ka thënë ai, përveç kësaj, shumë prindër kanë pasur probleme edhe në aplikim e se për këtë është dashur të asistojë Drejtoria Komunale e Arsimit të Vushtrrisë.

“Kemi pasur takime të rregullt edhe me ministren e Arsimit, i kemi paraqitur shqetësimet tona si nivel komunal, si DKA-në për mënyrën e furnizimit, subvencionimin e prindërve me libra pasi që ka shumë raste që prindërit kanë ardhur në DKA dhe na është dashur që ne të asistojmë në aplikim. Një prej problemeve më të mëdha që dihet është se jo secili prind e ka kapacitetin për tu kyçur në platformë, prandaj ne jemi shndërruar në asistent të prindërve me qëllimin më të mirë që me ardhë deri te subvencionimi dhe furnizimi me libra. Sfida tjetër është që për këtë periudhe të shkurtër kohore kur ka filluar transferimi i mjeteve është e pamundur që të furnizohen të gjithë me libra shkollorë, kështu që edhe sot që ka filluar viti shkollor zyrtarisht shumë nxënës akoma nuk janë furnizuar me libra”, ka thënë ai.

Ndryshe nga Tahiraj, ka deklaruar të hënën ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila gjatë një vizite në shkollën “Iliria” në Prishtinë, ka theksuar se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë apo shqetësim nga asnjë komunë.

“Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë. Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim”, ka deklaruar Nagavci të hënën gjatë vizitës së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat