Hapësirën brenda QKUK-së po e shfrytëzojnë për qëndrim të përhershëm e në numër, nuk janë të pakët.
E kjo ngase tash e një kohë, hapësirat afër klinikave janë të mbushur me qen endacakë nga të cilët, dy persona të tjerë u sulmuan një ditë më parë.
Pasi morën trajtim në Klinikën Emergjente, tanimë dy të lënduarit janë lëshuar për në shtëpi.
Por, ky nuk është rasti i vetëm sepse edhe javën e kaluar brenda QKUK-së u sulmua një person kurse SHSKUK, thotë se ndihmën nga komuna, ka kohë që e kërkon.
“Bazuar në statistikat e Klinikës Emergjente, është rritur numri i rasteve që kanë kërkuar trajtim mjekësor si pasojë e dëmtimeve trupore nga kafshimi i qenve endacak. Nga 1 janari deri më tani janë regjistruar 112 raste që kanë pësuar dëmtime të ndryshme trupore, përfshirë edhe raste me lëndime më të rënda që rrezikojnë jetën, e që janë spitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën Infektive. Vitin e kaluar, në Klinikën Emergjente ishin regjistruar 84 raste që kishin kërkuar tretman mjekësorë nga kafshimi i qenve, kurse këtë vit ka rritje të rasteve të tilla. Vazhdojmë të apelojmë tek Komuna e Prishtinës dhe institucionet tjera përgjegjëse të bëjnë zgjidhje të shpejtë për këtë çështje. QKUK është institucion që kujdeset dhe ofron shërbime shëndetësore, andaj mos të shndërrohet në institucion ku rrezikohet jeta e pacientëve, familjarëve dhe qytetarëve tjerë, si pasojë e kafshimit nga qentë”.
E nga komuna, thonë se problemin do ta zgjidhin brenda javës.
“Kemi kap qenë të enjten të premten, ata që i kemi identifiku si qenë agresivë, i kemi kapur dhe do vazhdojmë edhe ditëve në vijim. Përkundër faktit që nuk kam qenë i interesuar për rajonin që e kemi cilësu prioritet, që ka qenë sheshi e ia kemi nis dje t’i kapim qentë. Por edhe në QKUK, besoj që brenda javës, do e pastrojmë komplet nga qentë”, ka deklaruar Bekim Brestovci, Drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë.
Të mërkurën në Hajvali është funksionalizuar edhe Qendra për Trajtimin e Qenve Endacakë, në Hajvali.
Këtë e ka bërë të ditur Kryetari, Përparim Rama i cili ka kërkuar nga Qeveria që të bëj prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës duke mbështetur komunat me resurse financiare.
Qendra në Hajvali përpos trajtimit, do jetë strehë edhe për 350 qenë, ka njoftuar Rama, e që ka thënë shumë shpejt do të nis bartja e tyre nga rrugët e kryeqytetit në këtë qendër por pa specifikuar kur.