​Qendra e Studentëve hap dyert për pranim të rreth 4 mijë studentëve

Kosova

​Qendra e Studentëve hap dyert për pranim të rreth 4 mijë studentëve

Më: 13 shtator 2024 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Qendra e Studentëve edhe këtë vit ka hapur dyert për banorët e saj të rinj. Këtë vit në konviktet e Qendrës së Studentëve pritet të pranohen rreth 4 mijë studentë, ndërsa në mensë do të ushqehen edhe 1 mijë e 500 studentë të tjerë.

Për konkursin për pranim të studentëve në konvikte për këtë vit akademik sot ka folur për KosovaPress, drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari i cili shpalosi edhe disa nga risit që i presin studentët këtë vit.

Rudari: Gjithsej do të pranohen rreth 4 mijë studentë

“Gjithsej do të pranohen rreth 4 mijë studentë dhe 1 mijë e 500 për mensë jashtë këtyre studentëve…Risi në aplikimin e studentëve nga është me kilometër tash e kemi të ndarë jo me komuna siç ka qenë më herët do të thotë kanë qenë pak të diskriminuar studentët të fshatrave në largësi, por tash e kemi më largësi duke filluar nga Qendra e Studentëve si pikë nisje dhe mendoj që një diskriminim që ka qenë më herët për studentët e kemi larguar. Risi tjetër duke biseduar me MASHTI për largimin e depozitit që ka qenë e rënduar për studentët por vendimin do ta marrim këto ditë para vendosjes se studentëve”, tha ai.

Kriteri kryesor për të qenë pjesë e Qendrës së Studentëve është që studenti të jetë pjesë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të jetë pjesë e studimeve bachelor dhe duke nisur nga 25 kilometra largësi e tutje.

Rudari: Studentët duhet të jenë të UP-së për t’u pranuar

“Si pikë e parë duhet të jetë student i Universitetit të Prishtinës, studimet themelore bachelor dhe pika e dytë duhet të jetë nga 25 kilometra dhe më larg dhe notën mesatare. Shembull studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe Shkencat Matematiko-Shkencore ata pranohen me notën mesatare 9 automatikisht pranohen nuk iu merren parasysh pikët tjera, kurse fakultetet tjera me notën 9.5”, tha Rudari.

Drejtori i Qendrës së Studentëve thotë se konkursi për pranim të studentëve nuk është hapur më herët pasi kanë pritur pranimin e studentëve në afat të dytë.

Rudari: Kemi pritur edhe afatin e dytë

“Universiteti i Prishtinës nuk ka qenë gati dhe ne në koordinim me UP e shpallin konkursin. Studentët e vitit të parë janë regjistruar me vonesë dhe ne është dashur të presim, por 7-ditëshin që e kemi lanë tash deri më 26 e kemi pritur edhe afatin e dytë për të mos u diskriminuar”, theksoi Rudari.

Studentët që do të pranohen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë do të paguajnë gjithsej 35 euro për banim dhe ushqyerje në mensë.

Rudari: 20 euro për banim, 15 për ushqim në Mensë

“Është menduar se si t’ia lehtësojë studentëve jetën e jo me ua rëndua, shembull për banim është 20 euro për një student, kurse për mensë është 15, pra gjithsej për një student është 35 euro muaji”, tha ai.

Sa i takon rritjes së kapaciteteve të konvikteve, drejtori i QS-së, Ekrem Rudari tha se pritet që vitin e ardhshëm të nisë ndërtimi i një konvikti me kapacitet për 500 studentë, kërkesë kjo e cila është adresuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pasi hapësira e Qendrës së Studentëve do të shfrytëzohet për Lojërat Mesdhetare.

Rudari: Vitin e ardhshëm do ta ndërtojmë edhe një konvikt për rreth 500 studentë

“Qendra e Studentëve dhe salla 1 Tetori ka me qenë fshat i Lojërave Mesdhetare dhe është e paraparë një konvikt i ri të ndërtohet, por besoj, varet, ky vit vetëm ka mundësi që ta bëjmë, por vitin tjetër jam i bindur që do të fillojmë me ndërtimin e konviktit të ri me kapacitet rreth 500 studentë, me pishinë të mbuluar brenda në konvikt në bodrum apo në katin e sipërm. Kur kanë qenë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ashtu edhe është biseduar për t’u ndërtuar edhe një konvikt. Kushtet e kapacitetet i kemi, edhe hapësirën e kemi”, tha ai.

Ndër vite Qendra e Studentëve është ballafaquar me dukurinë e shitblerjes së vendeve nga studentët, por drejtori i QS-së shprehet se këtë dukuri kanë arritur ta luftojnë dhe ndaj shkelësve të ndërmarrin masa.

Rudari: Kush është nxënë, ka hyrë në listë të zezë

“Kjo dukuri ka qenë gjithmonë, por ne e kemi luftuar dhe 99% vitin e kaluar e kemi larguar, por edhe këtë vit jemi të përgatitur për këtë dukuri, megjithëse vitin e kaluar kush është nxënë ka hyrë në listë të zezë, është larguar menjëherë e ka humbur vendin. Por, edhe këtë vit të angazhuar në këtë drejtim”, tha drejtori i QS-së.

Sa i takon ushqyerjes në mensë, krahas mëngjesit suedez i cili ka qenë risi nga viti i kaluar në mensën e studentëve, këtë vit ka një rritje të llojllojshmërisë të ushqimeve. Edhe këtë vit ka lehtësime për kategoritë e luftës, si dhe për studentët me gjendje jo të mirë ekonomike.

Pranimi i studentëve në konvikte dhe ushqim në mensën e studentëve për vitin akademik 2024/25 do të jetë i hapur deri më 26 shtator, ndërsa afati i ankesave do të jetë nga data e mbylljes së konkursit deri më 28 shtator 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat