Mësimdhënësit dhe nxënësit po ambientohen me mësimin gjithëditor

Kosova

Mësimdhënësit dhe nxënësit po ambientohen me mësimin gjithëditor

Më: 14 shtator 2024 Në ora: 20:18
Foto ilustrim

Nxënësit janë duke e mirëpritur qëndrimin gjithëditor në shkollë. Ata thonë se aktivitetet gjatë gjithë ditës janë të ndryshme, edhe pse në fillim kjo dukej e vështirë. Gjithashtu edhe mësimdhënësit thonë se zbatimi i kësaj kurrikule ishte me sfida, megjithatë gradualisht ata janë duke e realizuar në tërësi.

Ushqimet që vijnë nga Kuzhina Qendrore, sipas tyre janë të mjaftueshme si nga ato të ftohtat deri te të ngrohtat.

Rreth 400 nxënës të Shkollës së Gjelbër, duke përfshirë edhe parafilloristët, nga 2 shtatori ditën e nisin që në orën 7:45. Ata fillojnë ushqimin të cilin e marrin nga shtëpitë e tyre, pastaj vazhdojnë me aktivitetet e mëngjesit duke filluar me lëndët e tyre deri në kohën e drekës në bazë të kurrikulës.

Kohën e drekës, të parët që ushqehen janë parafillorët dhe ata të klasave të para, duke ua lënë radhën nxënësve të klasave të tjera.

Për nxënësit e klasave të pesta, në kuadër të lëndës Lexim Kuptimi ora zhvillohet në një ambient më ndryshe.

Pas kohës së drekës, për nxënësit e klasave të katërta, orë shtesë të aktivitetit kanë të përfshirë orën e filmit. Për më të vegjlit, ky sistem i ri duket i kënaqshëm. 

Drejtori i Shkollës së Gjelbër, Besart Ismajli, thotë për RTK se fillimisht kanë pasur disa vështirësi duke përfshirë ambientimin e fëmijëve, mungesën e mësimdhënësve, por që më pas gjithçka është tejkaluar. 

Shujta që u ofrohet nxënësve nga kuzhina qendrore, ndryshon çdo ditë, nga sallatat e ndryshme e deri tek ushqimet e ngrohta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat