Shënohet Dita e Demokracisë, qeveria kritikohet për cenim të vlerave demokratike

Kosova

Shënohet Dita e Demokracisë, qeveria kritikohet për cenim të vlerave demokratike

Më: 16 shtator 2024 Në ora: 14:57
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë nën moton “Qeverisja efektive e inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet”. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo ditë është thirrje për vëmendje nga institucionet për ndërtimin e politikave dhe kapaciteteve njerëzore. Veç tjerash, u tha se qeveria aktuale ka cenuar vlerat demokratike dhe ka treguar mungesë të llogaridhënies.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se shënimi i kësaj dite është një mundësi për të theksuar rëndësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë.

Konjufca: Në gjithë botën po merr hapësirë keqinformimi dhe dezinformimi

"Në një kohë kur në mbarë botën gjithnjë e më shumë fatkeqësisht po merr hapësirë keqinformimi dhe dezinformimi, tema globale për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë këtë vit nga Kombet e Bashkuara është caktuar intelegjenca artificiale si një mjet për qeverisje më të mirë krahas rreziqeve që paraqiten për demokracinë, atëherë kur nuk kemi mekanizma kontrollues. Kjo është ndër të tjera edhe një thirrje për vëmendje nga institucionet tona që të punojmë bashkërisht për ndërtimin e politikave dhe kapaciteteve njerëzore për ta vënë në funksion intelegjencën artificiale, me synim që të rritet efikasiteti, transparencën dhe vendimmarrjen për të krijuar qeverisje të përgjithshme, duke e ruajtur njëkohësisht edhe besimin dhe integritetin në proceset e qeverisjes demokratike”, deklaroi Konjufca.

Konjufca shtoi se demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetar, teksa theksoi se zgjedhjet janë qenësore për demokracinë.

Drejtoresha e Institutit Nacional Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg foli për intelegjencën artificiale, për çka tha se edhe në Kosovë ka pasur raste të ndikimit tek gratë.

Soderberg: Intelegjenca artificiale ofron mundësi të mëdha për progres

"Intelegjenca artificiale ofron mundësi të mëdha për progres, por kjo teknologji e mrekullueshme gjithashtu paraqet edhe sfida themelore posaçërisht se si përballet me të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike. Në Kosovë kemi parë se AI dhe mjetet digjitale mund të keqpërdoren për të prishur pjesëmarrjen e grave, pastaj duke përhapur narrativa të rrezikshme dhe duke minuar vlerat demokratike...Kosova ka mundësi për të ndërtuar standarde të larta që të shfrytëzohen në atë të mirë që të shkojnë në të mirë të shoqërisë në përgjithësi dhe duke promovuar transparencën transparencën”, shtoi ajo.

Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, Arbëresha Kryeziu Hyseni tha se kuvendi është vendi më demokratik, ku shtoi se është rritur transparenca e llogaridhënia.

Kryeziu-Hyseni: Kuvendi sot është më i hapur dhe më i qasshëm

“Një nga institucionet më demokratike, më transparente që Republika e Kosovës ka. Dhe në të njëjtën kohë një nga institucionet më demokratik që vendet e rajonit dhe ballkani ka dhe kjo ka ardhur pikërisht sepse ne gjithmonë kemi ecur përpara në synimin tonë të përbashkët për të rritur nivelin e demokracisë në Kosovë dhe për të treguar që ne jemi të gatshëm të ndryshojmë dhe e kemi bërë këtë bashkë vit pas viti...Kuvendi sot është më i hapur e më i qasshëm se asnjëherë më parë dhe për këtë arsye është rritur edhe transparenca dhe llogaridhënia është më e madhe ”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra deklaroi se janë cenuar vlerat demokratike.

Deliu-Kodra: Janë cenuar vlerat demokratike të Kosovës

“Duhet të flasim për gjendjen e rëndë dhe jo rrallë cenimin që i është bërë vlerave demokratike të Kosovës. Kur jemi këtu, pa dyshim që duhet të flasim edhe për cenimin jo të rrallë që këto vlera demokratike e kanë pasur gjatë këtyre viteve. Kemi pasur një qeveri jo-demokratike e cila jo rrallë ka cenuar fondamentin e shtetit. Mungesa e llogaridhënies e cila u përmend tash, ka qenë jo rrallë në thelb të diskutimeve tona në kuvend. Ministrat të cilët kanë qenë të pa përgjegjshëm dhe nëse shohim raportet e organizatave të shoqërisë civile kemi një kryeministër i cili në sesionin pranveror 36 herë nuk i është përgjigjur kërkesave dhe pyetjeve parlamentare të deputetëve”, përfundoi ajo.

Në hollin e Kuvendit të Kosovës është organizuar edhe panairi i organizatave të shoqërisë civile. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat