Kryeministri Albin Kurti, vizitoi Parkun Teknologjik, i cili u përurua sot në Kamenicë.
Pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Parkut Teknologjik, ishin ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe zyrtarë të tjerë të nivelit qendror e lokal.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se parku Teknologjikë i cili dikur kishte shërbyer si Qendër Rinore, është transformuar pas rinovimit me investim prej 204 mijë euro nga bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
“Ky projekt cilësohet edhe një dëshmi tjetër e konkretizimit të zotimit të Qeverisë për zhvillimin ekonomik, duke u dhënë të rinjve kushtet e nevojshme për të përparuar në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur e të digjitalizuar”.
Kurit u uroi suksese të gjithë të rinjve që do ta përdorin këtë park për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e Kamenicës, dhe falënderoi të gjithë ata e ato që kanë punuar e kontribuar për realizimin e këtij projekti.
Tashmë, nëpërmjet këtij parku, të rinjtë do të kenë qasje në trajnime të avancuara, duke u pajisur me aftësi praktike dhe të nevojshme profesionale për tregun modern të punës. Ndërkaq, pas përfundimit të punimeve në këtë hapësirë, Komuna e Kamenicës ka hapur edhe ankandin publik për pjesën e menaxhimit të kësaj qendre, ku fitues i këtij ankandi është shpallur Cactuss Education në Kosovë.
Cactuss Education në bashkërendim me Komunën e Kamenicës do të përcaktojë agjendën e procedurave zyrtare si dhe planprogramit që do të mbulojë ky institucion.