​Komuna e Deçanit, Pejës e Junikut do të kenë tre stacione të shpëtimit malor

Kosova

​Komuna e Deçanit, Pejës e Junikut do të kenë tre stacione të shpëtimit malor

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 14:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Ambasada e Italisë në Prishtinë, në kuadër të projektit NaturKosovo, u ka dhuruar pajisje të shpëtimit malor klubeve alpiniste të Kosovës, nga i cili kanë përfituar komuna e Deçanit, Pejës dhe Junikut.

Projekti synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Ambasadori i Italisë në Prishtinë Antonelo De Riu ka thënë se NaturKosovo, promovon një partneritet publik-privat, i cili ruan dhe përmirëson infrastrukturën turistike, e cila ka kushtuar 1.8 milionë euro nga buxheti i qeverisë së tyre.

De Riu: Projekti përmirëson infrastrukturën turistike përgjatë Via Dinarica

“Ky promovon një partneritet publik-privat për të ruajtur dhe përmirësuar infrastrukturën turistike përgjatë Via Dinarica. Ai synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetin. Për më tepër, sipërmarrësit vendas dhe shoqatat e biznesit do të marrin udhëzime nga OJQ-të italiane për të përmirësuar aftësitë e mikpritjes në aktivitetet në natyrë, duke përfshirë alpinizëm, shëtitje, ngjitje dhe ndihmën e parë për individët e lënduar në zona të largëta, komponentë jetikë për të rritur numrin e vizitorëve në këto peizazhe të mrekullueshme”, ka thënë De Riu.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh mirënjohëse për mbështetjen financiare për zhvillimin e shumë projekteve nga qeveria italiane. Ajo tha se kontributi i të gjithë akterëve të turizmit është jetik për sigurinë e aktiviteteve malore dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Hajdari: Falënderoj qeve rinë italiane për mbështetjen financiare të projekteve

"Në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe personalisht si ministre e kësaj ministrie unë dua të shpreh falënderimet me të thella për mbështetjen nga qeveria italiane përmes agjencisë italiane për bashkëpunim dhe zhvillim në mbështetje financiare të shumë projekteve, por sot jemi përmes projekti NaturKosovo. Si dhe mirënjohje edhe për donatorët e konzorciumit të këtij projekti Celin dhe RTM...Kontributi i të gjithë akterëve të turizmit është jetik për sigurinë e aktiviteteve malore dhe për mirëqenien dhe jetën e qytetarëve tanë", tha Hajdari.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka vijuar se ky bashkëpunim, me të cilin është themeluar edhe njësiti për kërkim-shpëtim ka qenë shumë i domosdoshëm për komunën që ai e drejton.

Ramosaj: Kemi bërë një punë të mirë

“Po shpresoj që kemi bërë një punë të mirë dhe duke pasur parasysh që kemi kaluar në një fazë ku po bëjmë gjana ma të qëndrueshme, neve na u ka gjetur tepër mirë ky projekt ku kemi konektuar shtegun ViaDanarica me Deçanin, në disa pozicione, mirëpo që kemi bashkëpunuar edhe me themelimin e njësitit që për kërkim- shpëtim që ka qenë tepër i domosdoshëm”, ka thënë Ramosaj.

Edhe kryetari i komunës së Junikut Ruzhdi Shehu dhe ai i Pejës, Gazmend Muhaxheri shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Ambasadës së Italisë për bashkëpunimin.

Mirënjohje dhe falënderime ndaj Ambasadës së Italisë shprehën edhe kryetari i Federatës së Alpinizmit dhe Alpinizmit Sportiv të Kosovës, Arianit Nikçi dhe përfaqësues i shërbimit të kërkimit malor të Kosovës Bardhosh Morina.

Ndërkaq, koordinatori i projektit, Filippo Vigani falënderoi për mbështetje Ambasadën e Italisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ai u shpreh optimist për vazhdimin e bashkëpunimit për projekte të reja.

Vigani: Rezultatet e shërbimit të kërkim-shpëtimit malor të Kosovës të shkëlqyera

Ne urojmë dhe sigurisht që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të tjera. Për neve është maja e Ajsbergut që i kemi të pranishëm tre kryetarët e tri komunave për të cilat kalon shtegu dhe të cilat janë partnere të projektit NaturKosovo. Rezultatet e angazhimit të shërbimit të kërkim shpëtimit malor të Kosovës në kuadër të projektit kanë qenë të shkëlqyera", ka thënë ai.

Ky projekt është në kuadër të Agjencisë italiane për Bashkëpunim Zhvillimor/AICS/ dhe në bashkëpunim me MINT. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat