​Zyra e BE-së në Kosovë ndan Çmimet e Gazetarisë Hulumtuese të BE-së për vitin 2024

Kosova

​Zyra e BE-së në Kosovë ndan Çmimet e Gazetarisë Hulumtuese të BE-së për vitin 2024

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 15:52
​Zyra e BE-së në Kosovë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një ceremonie ka ndarë çmimet e gazetarisë hulumtuese të BE-së për vitin 2024. Kreshnik Gashi dhe Behar Mustafa nga Kallxo.com janë shpërblyer me çmimin e parë lidhur me hulumtimin e tyre për korrupsionin në nivel lokal e qendror që mundësoi qindra ndërtime ilegale në zonën e mbrojtur në Brezovicë.

Çmimin e dytë e mori gazetarja Alberta Hashani nga Betimi për Drejtësi me hulumtimin "Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”. Ndërkaq, me çmimin e tretë u shpërblyen Dafina Halili nga Kosovo2.0 me artikullin “Ngacmimet seksuale kalojnë pa u ndëshkuar në Universitetin e Prishtinës” dhe redaktorja e K2.0, Aulonë Kadriu dhe gazetari, Dardan Hoti me artikullin “Nëse dalin videot, unë kam m’i hupë krejt”.

Këto çmime u ndanë nga shefi i ri i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Në një fjalë rasti, Orav foli për sfidat e të bërit gazetari hulumtuese në Kosovë, derisa potencoi se ka nevojë për përmirësime që gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe të sigurt.

Ai tha se mbështetja e BE-së për gazetarinë është shumë e rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por kudo në Ballkanin Perëndimor.

Orav: Mbështetja e BE-së për gazetarinë hulumtuese është shumë e rëndësishme

“Shumë media mbeten ende shumë të varura nga donatorët dhe disa prej tyre mbështeten në interesat e biznesit. Dhe siç e dini, edhe shumë gazetarë ende nuk kanë kontratë pune, ose kanë vetëm një kontratë shërbimi, dhe kjo i ekspozon ata ose ju para presionit 00:42 . Ajo që kemi vërejtur gjithashtu është se ka shumë pak gra në vendimmarrje në pozita në media këtu në Kosovë. Besimi në gazetari mund të minohet gjithashtu nga sulmet, kërcënimet, deklaratat... nga zyrtarët e lartë ose përfaqësuesit e biznesit. Ka nevojë për përmirësime për të siguruar që gazetarët të mund të punojnë lirshëm dhe të sigurt. Një sfidë tjetër e madhe është dezinformimi. Epoka digjitale ka ndryshuar shumë, dhe është shumë më e lehtë të vish me narrativat e rreme dhe t'i përhapësh ato. BE-ja ka mbështetur një studim këtu në Kosovë mbi dezinformimin, dhe studimi zbulon se dobësi të konsiderueshme janë ende atje për t'u përballur me narrativat e rreme…Mbështetja e BE-së për gazetarinë, dhe gazetarinë hulumtuese është shumë e rëndësishme jo vetëm këtu në Kosovë, por siç u tha tashmë kudo në Ballkanin Perëndimor”, tha Orav.

Gazetari Behar Mustafa tha se ndarja e këtij çmimi është një motiv shtesë për të punuar edhe më tutje me storje të tilla, për çka thotë se edhe shteti po vepron në bazë të hulumtimeve që po kryhen.

Mustafa: Ndarja e këtij çmimi na jep një motiv shtesë për të punuar më tutje

"Edhe për mua por edhe për kolegët e mi që kemi punuar në këtë storje bashkë me Kreshnikun kjo ka domethënie të madhe. Na e jep një motiv shtesë për të punuar më tutuje dhe më shumë edhe në këto storje siç ka qenë Brezovica, por edhe në storje tjera. Tash së fundi, pas një hulumtimi tonë që e kemi publikuar para disa viteve është një ngritur një aktakuzë për dy ish ministra. Baza e kësaj aktakuze ka qenë hulumtimi që ne e kemi bërë dhe kjo na shtyen të punojmë më shumë në këtë lloj të gazetarisë. Kur shohim se edhe shteti po vepron në bazë të storjeve që ne i publikojmë... Shkatërrimi që ka ndodhur në Brezovicë është i tmerrshëm, i pariparueshëm, janë ndërtuar 800 villa e hotele atje, por shkatërrimi që iu ka bërë ambientit nuk do të mbërrijë kurrë të rikuporohet", tha Mustafa.

Gazetarja Alberta Hashani, fituese e çmimit të dytë për gazetari hulumtuese të BE-së tha se ndarja e këtij çmimi mbështetje direkte për drejtësi dhe për rrjedhojë në një shoqëri më të shëndoshë.

Hashani: Mbështetja e gazetarisë hulutmuese është mbështetje direkte në drejtësi

"Kur mungon drejtësia brenda vetë organeve të drejtësisë, atëherë natyrisht që gazetaria hulumtuese bëhet një derë shprese që ka për qëllim zbulimin e së vërtetës dhe kërkimin e llogaridhënies. Edhe mbështetja e gazetarisë hulumtuese në këtë rast nga zyra e Bashkimit Evropian përmes kësaj gare profesionale konkurruese është mbështetje direkte në drejtësi dhe për rrjedhojë në një shoqëri më të shëndoshë", u shpreh Hashani.

Edhe gazetarja Dafina Halili u shpreh e vlerësuar me rastin e ndarjes së çmimit të tretë për Gazetari Hulumtuese. Ajo tha se ky çmim është një lloj inkurajimi për të vazhduar hulutimet të cilat ne qendër kanë të drejtat e njeriut.

Halili: Ndihemi gjithmonë mirë kur na vlerësohet puna jonë

"Ndihemi gjithmonë mirë kur na vlerësohet puna jonë. Po ashtu është edhe një lloj inkurajimi shtesë që të vazhdojmë të punojmë në hulumtimet në këtë rast, kur është fjala sidomos te Kosovo2.0 sidomos hulumtimet të cilat në qendër e kanë të drejta e njeriut. Mendojmë që me këtë kemi mbërrijë t'iu japim një dimesion të ri në mënyrën sesi e shohim gazetarinë hulumtuese në Kosovë e cila është gjithmonë?? përmes krimit të organizuar ose të investigimit, abuzimit pushtetit në nivel qeveritar, por asnjëherë brenda familjes ose sistem arsimor ose në vend të punës, siç është fjala për ngacmimin seksual në universitetin e Prishtinës", potencoi Halili.

Edhe Aulonë Kadriu nga Kosovo2.0 tha se ndarja e këtij çmimi nga zyra e BE-së në Kosovë është një nder i madh dhe frymëzim për të vazhduar tutje me gazetari hulumtuese. Ajo theksoi se roli i gazetarisë hulumtuese është tepër i rëndësishëm.

Kadriu: Ky çmim është nder i madh dhe frymëzim për neve

“Ky çmim pa dyshim si çdo çmim tjetër që e vlerëson këtë lloj gazetarisë është nder i madh është frymëzim për neve që të vazhdojë t'i mbulojmë këto tema në të ardhmen, specifikisht roli i gazetarisë hulumtuese, gazetarisë së ngadaltë të bazuar në të drejtat e njeriut qysh e prodhon Kosovo2.0 është tepër i rëndësishëm sepse është një lloj i gazetarisë që i vendos rrëfimet e njerëzve, rrëfimet e viktimave, përjetimet e të cilave edhe të cilëve jo zakonisht i shohim qoftë në media apo përgjithësisht në diskurs publik", tha Kadriu.

Ndërsa, Dardan Hoti ka shtuar se ky çmim ka shumë rëndësi për hulumtimin që është bërë.

Sipas tij, kjo konfirmon angazhimin e tyre për një gazetari hulumtuese të mirë.

Hoti: Kjo e konfirmo punën tonë edhe angazhimin tonë për një gazetari hulumtuese të mirë

"Ky çmim ka shumë rëndësi për neve si gazetarë, për hulumtimin që e kemi bërë së pari. Normal që secilin shkrim që e kam bërë bashkë me Aulonën, por edhe vetë si gazetar freelance, kurë nuk e mendojmë që do të kemi një çmim më vonë. Por, kjo e konfirmo edhe njëherë punën tonë, e konfirmon edhe njëherë angazhimin tonë për një gazetari hulumtuese të mirë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat