Në rastin e njohur si “Patentë shoferët”, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmitarja bashkëpunuese, Mejreme Miftari e cila tha se kur kishte hyrë në testin me shkrim për patentë shofer e kishte ndihmuar një ekzaminer.
“Po me kujtohet me ndihmë, testi u kry pa plotësim temin”, deklaroi dëshmitarja Miftari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se i ish-bashkëshorti i saj kishte kërkuar që e ajo të pajisej sa më shpejt me patentë shofer për çka edhe kishte biseduar me të akuzuarin Dritmir Islamin, duke pohuar se atë e kishte instruktorë.
Mbrojtësi i të akuzuari Islami, avokati Flakron Sylejmani e ballafaqoi dëshmitaren me procesverbale të mbajtjes së orëve praktike ku sipas tij figuronte instruktorja me emrin Halime Kamberi, mirëpo dëshmitarja Miftari insistoi se Islami ishte instruktori i saj e jo Kamberi.
Ndërkaq, lidhur me nënshkrimet e dhënë në procesverbalet e mbajtjes së orëve praktike, Miftari tha se nënshkrimi është i saj por se orët nuk i kishte mbajtur me Kamberi por me të akuzuarin Islami.
Tutje, Miftari tha ish-bashkëshorti i kishte thënë se kishte biseduar me të akuzuarin Islami dhe se puna me patentë shofer është e kryer.
Më pas nga prokurori, Eset Rama, kërkoi nga dëshmitarja Miftari që ta bëjë identifikimin e të akuzuarit Islami. Ajo tha se i njëjti gjendet në sallë dhe se e kishte instruktorë.
I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, dëshmitarja Miftari tha se pasi që ekzamineri e kishte marrë testin me shkrim i kishte thënë se është e kryer.
“U kry, kam bisedu me ish-bashkëshortin, e mori edhe shkoi”, tha Miftari.
Seanca vazhdoi me dëshminë e L.B, për të cilin gjykata kërkoi që të raportohet me iniciale pasi që i njëjti kishte kërkuar të raportohet në këtë formë pasi që punon në institucione publike dhe mund të dëmtohej.
Dëshmitari L.B, deklaroi se i kishte dhënë 300 euro një inspektori me emrin Nasuf ( pa specifikuar me mbiemër), duke shtuar se pasi që i kishte dhënë parat e kishte kaluar testin me shkrim.
I pyetur nga gjykatësi Foniqi, dëshmitari L.B tha se testin e kishte plotësuar por jo të gjithin dhe se për pjesën praktike të testit nuk e kishte ndihmuar askush.
I njëjti deklaroi se për tu pajisur me patentë shofer ishte regjistruar në autoshkollën “Fati”.
Në këtë seancë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja, Fatime Dermaku kërkoi nga avokatët që të njëjtit të mos lëvizin gjatë gjykimit pa leje e saj pasi që për shkak të numri të madh të të akuzuarve po krijohet tollovi.
Më pas seanca është ndërprerë duke ftuar për seancë e radhës dëshmitarë të tjerë.
Në seancën e 14 qershorit 2023, 28 nga 31 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu, Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu.
Për Burim Jasharin, Fejzullah Ejupin dhe Bashkim Jetullahun, procedura penale është veçuar (për secilin veç e veç).