Kuvendi Komunal në Shtime me shumicë të votave ka miratuar planifikimin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2025 në vlerë prej 10 milion e 777 mijë euro. Prej këtij buxheti, për projekte kapitale janë ndarë rreth 2 milion e 546 mijë euro, për paga dhe mëditje 5 milion e 900 mijë euro, mallrat dhe shërbimet një milion e 500 mijë euro, subvencione dhe transfere 500 mijë euro e të tjera.
Tek pagat dhe mëditjet opozita ka akuzuar qeverisjen lokale se 22 zyrtar do të marrin paga nga zyra e kryetarit dhe 11 drejtora. Ndërkaq, sipas kuvendarëve për qendrën e zjarrfikësve ekzekutivi ka planifikuar vetëm 8 zyrtëar të tjerë t’i menaxhoi si zjarrfikës.
Perparim Ramusa, kuvendar nga radhët e PDK-së, ka thënë se ekzekutivi ka keqmenaxhuar me planifikimin e buxhetit, andaj sipas tij, te investimet kapitale ka zvogëlim të buxhetit në krahasim me vitet e kaluara.
“Kryetari i komunës për vitin 2025 vetëm për zyrën e tij i ka paraparë 22 punëtor, dhe nëse ia shtojmë edhe 11 drejtori bëhen 33, atëherë çka bëjnë gjithë këta persona rreth zyrës së kryetarit. A keni plan me e hap ndonjë gurthyes apo çka do të bëjnë gjithë këta persona. Gjatë vitit 2025 janë planifikuar të menaxhohen vetëm 8 zjarrfikës, kurse në zyrën e kryetarit do të sillen 33 persona. Vetëm 22 punëtor pa drejtora në zyrën e kryetarit kanë mi shpenzua për paga gjithsejtë 226 mijë euro për një vjet pa e kryer asnjë punë. Këtë vetëm planifikimi i juaj e bën”,ka thënë Ramusa.
Sipas tij, është e pa mundur të realizohen projektet që janë planifikuar me 5 mijë euro për ndërtimin e ndriçimit publik në fusha sportive në fshatrat Voinovc, Davidovc, Carralevë , Pjetershticë , Godanc, Gllavicë dhe Zborc.
“Ndërtimi i urave Godanc dhe Pjetërshticë i keni nda vetëm 10 mijë euro a mund të ndërtohen me këtë shumë. Rregullimi i rrugëve me zhavorr në shumë fshatra pa i specifikuar, kjo është hajni tipike dhe keqmenaxhim”,ka kritikuar Ramusa.
Reshat Bujota, kuvendar i pavarur ka thënë se në buxhet nuk po figurojnë 11 drejtori, kurse komuna ka themeluar edhe dy drejtori të reja. Sipas tij, drejtoria e Inovacionit është dashur ta ketë një kod të veçantë të buxhetit derisa është e themeluar vite më parë.
“Pse po transmetohen 11 drejtori dhe në buxhet nuk janë 11 drejtori. Rreth këtij buxheti i kam shfletuar projektet dhe kam parë projekte nga 10 mijë euro. Sa do ta shfrytëzojnë këtë buxhet qytetarët dhe sa do të jenë me cilësi këto projekte sepse në bazë të ngjarjeve që i kemi nga kontratat kolektive projektet mund të ngecin sepse nuk po e shohim asnjë kod buxhetor për obligime. Ka qenë mirë mos me i përfshi disa projekte të reja dhe me i kryer obligimet e mësimdhënësve sepse thesari mund t’i marrë paratë pa pyetur fare”, ka thënë Mujota, duke sqaruar se ka raste kur komuna e nis një projekt dhe i ndalon punimet në gjysmë e pastaj arsyetohej se nuk ka mjete.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemjal Aliu, ka thënë se buxheti është prej 10 milion e 777 mijë euro, prej tyre realisht janë 2.5 milion investime kapitale, pastaj 56 për qind e këtij buxheti janë paga dhe mëditje.
“Siç e dimë se komuna e Shtimes i ka 720 punëtor që nënkupton arsimin, shëndetësinë, administratë dhe shërbimet publike. Këtu janë inkorporuar kërkesat e qytetarëve qoftë direkt nga dëgjimet publike apo qoftë indirekte, qoftë edhe në zyrën time që kam takime me qytetar, por edhe patjetër që këtu janë përfshirë edhe zotimet tona si qeverisje e përbashkët. Mendojmë se ky dokument është trajtuar në mënyrën më të mirë të duhur dhe pres që sot ta marrim miratimin e shumicës së asamblistëve”, ka thënë Aliu.