​Valon Baraliu: Kongresi i Kirurgëve po shndërrohet në traditë

Kosova

​Valon Baraliu: Kongresi i Kirurgëve po shndërrohet në traditë

Më: 28 shtator 2024 Në ora: 16:42
Valon Baraliu

Udhëheqësi i Klinikës së Neurokirurgjisë në Gjermani Valon Baraliu është ndër pjesëmarrësit e shumtë në Kongresin e katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës në Prishtinë.

Baraliu thotë për KP se ky lloj kongresi po shndërrohet në një traditë të kirurgëve më të njohur botërorë për vendosjen e kontakteve dhe shkëmbimit të përvojave.

Baraliu, i cili është edhe nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, thotë se risi e sesioneve të këtij kongresi është numri më i madh i punimeve shkencore.

Baraliu: Kongresi po shndërrohet në traditë të kirurgëve të njohur botërorë

“Risi është në rend të parë vazhdimësia e krijuar gjatë këtyre tre-katër vjetëve të kaluara. Ky lloj kongresi po kalon në traditë të mbledhjes së mendjeve më të ndritura dhe kirurgëve më të njohur në botë të lëmenjve të ndryshëm kirurgjikalë. Po vazhdohet tradita e krijimit të kontakteve dhe këmbimit të përvojave botërore dhe gërshetimi i tyre me përvojat e Kosovës. Risi tjetër është se kemi një numër më të madh të punimeve shkencore në krahasim me vitet e tjera”, tha Baraliu.

Neurokirurgu Baraliu tregon se në kuadër të kongresit do të ligjërojë mbi trajtimin e thyerjeve të unazave te të moshuarit.

Baraliu: Frakturat e unazave paraqiten kryesisht te njerëzit e moshave të shtyra

“Tema është për trajtimin e frakturave ose thyerjeve të unazave osteoporotike, të cilat paraqiten kryesisht te njerëzit e moshave të shtyra ose te kategoritë e caktuara të pacientëve. Është një lëmi shumë e gjerë, është një problematikë në rritje gjithkund në botë për shkak të stilit të jetës dhe trajtimit të tyre… Unë do të prezantoj disa prej metodave më aktuale në Gjermani, së paku në klinikën ku unë jam”, tha Baraliu.

Duke folur për largimin e mjekëve nga Kosova, Baraliu thotë se një gjë e tillë do të shkaktojë probleme për zëvendësimin e tyre me kuadro të reja.

Baraliu: Largimi i mjekëve për marrjen e njohurive jashtë shtetit është pozitive

Nëse largimi (i mjekëve) nënkupton shkuarjen për marrjen e njohurive të reja për të qenë në trend, sepse mjekësia është një kategori dinamike, shkuarja për marrjen e njohurive, siç kam shkuar unë dhe plot kolegë që janë jashtë Kosovës, atë e shoh si diçka pozitive, sepse duhet të jemi në trend me kohën dhe të mos ketë nevojë pacienti i Kosovës të shkojë nëpër botë, por faktikisht bota e kirurgjisë të jetë këtu. Në anën tjetër, pjesa negative është se duhet të jetë të gjendet një zgjidhje për mbulimin e atyre që shkojnë jashtë”, tha Baraliu.

Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës ka nisur punimet të enjten dhe aty po marrin pjesë ligjërues të shumtë nga vendi, rajoni e bota. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat