Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka nënshkruar memorandum me Ardian Ukelli, menaxher në kompaninë "Medica", i cili do t’i dhurojë komunës një Mamograf digjital të markës italiane Geneal Medical Meratte - Giotto (GMM), një prej më të mirëve në botë.
Aliu ka shkruar në Facebook se është jashtëzakonisht i lumtur që po e sigurojnë Mamografin digjital.
“Edhe një premtim i përmbushur nga ne në dobi të shëndetit të qytetarëve tanë. Ky donacion i veçantë vjen pikërisht me rastin e hyrjes në muajin Rozë, dedikuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Brenda pak ditësh, Mamografi do të arrijë dhe do të jetë i gatshëm në QKMF-në “Dr. Vezir Bajrami” për gratë dhe vajzat e Komunës sonë, të cilat do të kenë mundësi që pa barrë financiare t’i nënshtrohen kontrollave për identifikimin potencial të hershëm të shenjave për kancer të gjirit. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë pajisje të avancuar për të bërë kontrollet e tyre.
Detektimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë. Kjo arritje është gjithashtu përmbushje e një premtimi të rëndësishëm dhe hap i madh për përmirësimin dhe kujdesin shëndetësor në Komunën tonë. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe shfrytëzoni mundësitë e reja për diagnostikim dhe trajtim”, ka shkruar ai.