ZRRE: Nuk ka rritje të tarifave të energjisë elektrike!

Kosova

ZRRE: Nuk ka rritje të tarifave të energjisë elektrike!

Më: 1 tetor 2024 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Zyra e Rregullatorit për Energji ka deklaruar se nuk ka hapësirë shqetësimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Duke demantuar lajmet që kanë qarkulluar së fundmi në media, ZRRE-ja deklaron se, sipas legjislacionit në fuqi, shqyrtimi i të hyrave të lejuara dhe tarifave për ndërmarrjet e rregulluara fillon në fund të këtij viti dhe do ta zgjasë deri më 31 mars 2025.

“Për më shumë, ZRRE ju njofton se pritet të kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, bazuar në realizimin e remonteve të planifikuara të njësive gjeneruese termike, si dhe në prodhimin e energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe një sasie të energjisë elektrike të importuar” thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar.

Ky është njoftimi i plotë:

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është e përkushtuar në informimin e drejtë të opinionit publik, andaj lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në portale të ndryshme që kanë të bëjnë me paralajmërimin për shtrenjtim të energjisë elektrike, e njofton opinionin publik se sipas legjislacionit në fuqi, shqyrtimi i të hyrave të lejuara dhe tarifave për ndërmarrjet e rregulluara fillon në fund të vitit 2024 dhe zgjat deri më 31 mars 2025, rrjedhimisht nuk ka hapësirë shqetësimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Andaj, kurdo që vlerësimi i shqyrtimit të procesit tarifor të jetë i gatshëm, opinioni publik do të jetë i njoftuar me kohë.

Për më shumë, ZRRE ju njofton se pritet të kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, bazuar në realizimin e remonteve të planifikuara të njësive gjeneruese termike, si dhe në prodhimin e energjisë elektrike nga Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe një sasie të energjisë elektrike të importuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat