Mundësitë dhe parakushtet për bashkëpunim ndërmjet afaristëve nga Kosova dhe Turqia, janë diskutuar në takimet që kanë zhvilluar drejtuesit dhe anëtarësia e shoqatës “Esnaf” me ata të fondacionit “EkoAvrasya” dhe të shoqatës “Aysiad”.
Kryesia e shoqata “Esnaf” ka njoftuar se në Prizren janë mirëpritur kryetari i fondacionit “EkoAvrasya”, Hikmet Eren dhe kryetarin e shoqatës “Aysiad”, Mahmut Çatlık së bashku me delegacionet shoqëruese.
Pas shëtitjes në qendrën historike të Prizrenit, sipas njoftimit janë realizuar vizita në disa fabrika të afaristëve prodhues që janë anëtarë të “Esnafit”.
Më pas, delegacioni i përbërë nga 21 afaristë nga sektorë të ndryshëm, ka zhvilluar një takim edhe në zyrat e kësaj shoqate.
“Pas takimit në zyrat e shoqatës “Esnaf” programi vijoi në hotelin “Adler” me takime dypalëshe ndërmjet anëtarëve të shoqatës “Esnaf” dhe mysafirëve nga Turqia, me qëllim të krijimit të mundësive dhe parakushteve për bashkëpunim ndërmjet afaristëve të shoqatave të dy vendeve mike”, thuhet në njoftim.
Vizita në fjalë, që ka pasur për synim zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, sipas njoftimit, ka përfunduar me një darkë solemne me pjesëmarrjen e përfaqësuesve politikë të komunitetit turk të Kosovës dhe konsulli i Republikës së Turqisë në Prizren, Celal Doğan.