Aliu thotë se rruga Prishtinë-Podujevë përfundon brenda mandatit të tij

Kosova

Aliu thotë se rruga Prishtinë-Podujevë përfundon brenda mandatit të tij

Më: 2 tetor 2024 Në ora: 23:07
Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka premtuar se rrugët kryesore Prishtinë – Podujevë dhe Prishtinë – Mitrovicë do të përfundojnë brenda mandatit të tij.

Aliu ka deklaruar se projektet infrastrukturore po ecin sipas planit, pavarësisht vonesave të shfaqura në disa segmente.

Ai lidhur me punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka theksuar se segmenti Lluzhan – Podujevë është përfunduar, ndonëse disa punë shtesë mbeten për t’u kryer.

Ministri Aliu ka deklaruar se, megjithatë, gjithë rruga është kontraktuar dhe aktualisht ndodhet në fazën e fundit të punimeve.

Ai ka potencuar se punimet po ecin më shpejt se në rrugët e tjera dhe se ka pasur një përpjekje të veçantë për të zgjidhur çështjet e shpronësimeve në kohë, pavarësisht disa vështirësive.

“Atëherë kur kam thënë ka përfunduar, por nuk bëhet fjalë për gjithë rrugën por për segmentin Lluzhan – Podujevë, dhe kjo pjesë është kryer, kanë mbetur disa punë shtesë. Ndërkohë që e tërë rruga është kontraktuar pastaj është vendosur në tenderë e tëra, tash jemi në fazë të fundit të punimeve por mendoj se po shkon në ritëm më të shpejtë se rrugët tjera”, ka theksuar ai.

Ministri theksoi se afatet kohore po respektohen, duke e konsideruar një vit si afatin e parashikuar për përfundimin e punimeve.

“Jemi mësuar të kemi vonesa sepse ka punë të parashikueshme. Te kjo rrugë jemi përkujdesur shpronësimet t’i zgjidhim me kohë, ndonëse ka pasur probleme. Jemi munduar që afatet kohore të respektohen normalisht është një vit afati kohor, në ditët e punëve. Po shkon gjithçka brenda afatit deri tash”, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat