Ministri Peci në Berlin: Po rriten kërkesat për ushqimet tona tradicionale

Kosova

Ministri Peci në Berlin: Po rriten kërkesat për ushqimet tona tradicionale

Më: 3 tetor 2024 Në ora: 10:57
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Festivalit Global Shqiptar të Gastronomisë, i cili është duke u mbajtur në Arena Halle në Berlin.

Bëhet e ditur se në këtë festival po promovohen prodhues, biznese e agrobiznese mbarëshqiptare, të cilët do të kenë edhe mundësinë e ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit.

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se ministri Peci ka treguar se MBPZhR-ja mbështet pjesëmarrjen e Unionit të Turizmit të Kosovës, si promovues të potencialit agroturistik si dhe Shoqatën e Verëtarëve të Kosovës, si sinonimin e cilësisë së sektorit të verëtarisë.

 “Turizmi dhe diaspora kanë rritur kërkesën për autenticitetin e shijes shqiptare. Kjo lidhet me hapjen e kufijve, nevojën për të shijuar, ri-vitalizuar shijen, gërshetuar e sprovuar bukën e vjetër në pjatë të re. Trashëgimia buknore shqiptare është bërë sikurse sofra, një rreth që na bashkon rreth flisë rrethore/diellore, pranë së cilës vendosen produktet e tjera, që nga tërhana e deri tek djathi i Sharrit”, ka thënë ministri Peci.

Gjithashtu, ministri ka theksuar se kulinaria shqiptare shquhet për pjekjen mbi zjarr, bylmetin origjinal dhe barishtet lokale. E kur këtyre u shtohet mikpritja shqiptare kjo kuzhinë bëhet unike në sofrën globale.

Ndryshe, Festivali Global Shqiptar i Gastronomisë, do të jetë i hapur edhe sot për promovimin  e potencialit zhvillimor që ka sektori i agroturizmit dhe ekoturizmit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat