Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se bordi i saj ka miratuar propozimin e menaxhmentit për furnizimin e shkollave në komunat Obiliq dhe Fushë Kosovë me thëngjill.
Në njoftimin e lëshuar ky vendim është një tregues i bashkëpunimit të ngushtë mes KEK-ut dhe këtyre dy komunave, me fokus të veçantë në angazhimin e KEK për mbështetje ndaj komunitetit dhe përmirësimin e kushteve arsimore në zonat përreth operimeve të korporatës.
“Sipas këtij vendimi, KEK do të ndajë 1320 ton thëngjill për të ndihmuar institucionet arsimore, duke siguruar ngrohjen e shkollave gjatë sezonit dimëror. Kjo do të kontribuojë në krijimin e një ambienti më të mirë për nxënësit dhe mësimdhënësit”.
“Bordi ka marrë këtë vendim pas sigurimeve nga menaxhmenti se sasia e thëngjillit nuk do të ndikojë në furnizimin e dy termocentraleve. KEK mbetet e angazhuar për të forcuar marrëdhëniet me komunitetin dhe për të ofruar zgjidhje që përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët”, thuhet në njoftim.