Protestojnë për paga

Kosova

Protestojnë për paga

Më: 4 tetor 2024 Në ora: 20:30
Foto ilustrim

Punëtorët e arsimit nga komuna e Vitisë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për mosekzekutimin e pagave për muajin shtator. Udhëheqës të BSPK-së dhe të SBASHK-ut kanë shprehur shqetësimin lidhur me mospagesën e mësimdhënësve të Vitisë.

“Duam pagat tona”. Kjo ka qenë thirrja e punonjësve të arsimit të Vitisë, të cilat protestuan para Qeverisë, për shkak të vonesës së pagave. Sindikalistët e arsimit të Vitisë thanë se nga e marta do të ndërmarrin hapa të tjerë sindikalë.

"Kemi ardhur sot këtu para Qeverisë të protestojmë sepse Komuna e Vitisë nuk ka ekzekutuar pagat. Për këtë arsye ne kemi protestuar edhe në Komunën e Vitisë atje. Na kanë thënë se faji qëndron te Qeveria. Kemi ardhur sot t'i drejtohemi edhe Qeverisë nëse dikush na pret nga këtu. Qëllimi është një, pagat vetëm Komunës së Vitisë nuk u janë ndarë”, tha Kemajl Bislimi, kryetar i Sindikatës së Arsimit në Komunën e Vitisë.”

Protestën e kanë përkrahur kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, me kërkesën për një zgjidhje sa më të shpejtë.

"Edhe BSPK-ja është shumë e shqetësuar se pse ka ardhur deri këtu, që pagat e mësimdhënësve të mos ekzekutohen. Është shumë interesante se si edhe partneri social, Qeveria, por edhe partneri social që është në Viti atje, nuk ulen, nuk dakordohen që t'i kryejnë problemet edhe sot të vendosin që pagat e mësimdhënësve të dalin nëpër kontot e tyre. Siç e thanë edhe kryetarët, njerëzit kanë obligime, e ne e kemi të vetmen mundësi që të punësuarit në Kosovë ta mbajnë familjen me këto rroga. Andaj edhe një herë, në emër të BSPK-së në emër të SBASHK-ut, kërkoj nga partneri social që të ulet tani edhe të bëjë ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve të Komunës së Vitisë”, tha Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së

Ndërkaq Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut tha se ka frikë se nëse ndodhë  greva në Viti atëherë veprime sindikale do të ketë edhe në komuna tjera.

“Punëtorët e arsimit në Viti e kanë zërin e tyre që i mbron e ai është SBASHK-u. Unë i kam dërguar një letër z.Murati duke e lutur që pozitën që e ka si Ministër i Financave t'i lë deklaratat, ka ai apo ka ky faj, kushdo që ka faj, mësimdhënësit nuk kanë faj, le t'i zgjidhin çështjet institucionet, por që sot Qeveria le t'i procedojë pagat. Në të kundërtën, është mëkat që këta njerëz, përveç që nuk kanë paga e shumica jetojnë me to, është mëkat se do të përballen edhe me kamata shtesë, e unë i lus bankat të mos veprojnë tani e ta kuptojnë situatën dhe mos t'i ndëshkojnë”, tha Jasharaj.

Në këtë komunë pa paga kanë mbetur 775 mësimdhënës të sistemit të arsimit fillor dhe atij të mesëm, për muajin shtator. Ministria e Financave ka sqaruar se pagat nuk i ka siguruar komuna e Vitisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat