Fadil Fazliu nga Prishtina ka vendosur të përzgjedhë mjekun familjar për të dhe anëtarët e tjerë në shtëpi.
Ai i ka ndjekur të gjitha procedurat për këtë përmes platformës e-Kosova, duke bërë plotësimin e të dhënave personale bazuar në gjendjen civile.
Megjithatë, thotë se ende nuk ka marrë ndonjë shërbim prej tij.
Fazliu: Mundësi e mirë zgjedhja e mjekut por ende nuk po zbatohet
“Ka një muaj që kam aplikuar dhe kam zgjedhur mjekun e familjes për të gjithë familjen...mundësi e mirë është [përzgjedhja] por ende nuk ka rregull si duhet, ende duhet të shohësh a është mjeku aty, ta telefonosh, këta e propagandojnë por nuk është ende rregull. Është mirë që është bërë po nuk është duke u zbatuar në praktikë“, thotë Fazliu.
Përzgjedhja e mjekut familjar brenda zonës së banimit është projekt në përputhje me Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor.
Ky është projekt i Ministrisë së Shëndetësisë i cili nga 25 shtatori është shtrirë në tërë territorin e Kosovës, pas një periudhe testuese në vetëm katër komuna të vendit.
Procesi i përzgjedhjes pritet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm.
Por, Fadil Fazliu është ndër të paktët qytetarë që janë të mirë-informuar se përmes platformës e-Kosova mund të zgjedhin mjekun e tyre familjar brenda zonës së banimit.
Fetije Blaku, banore e Prishtinës thotë se nuk është e informuar rreth kësaj.
Blaku: Nuk jam e informuar se mund ta kem mjekun tim familjar
“Patjetër është e rëndësishme, por nuk jam e informuar”, thekson Blaku.
Në situatë të njëjtë është edhe Hava Lahu, gjithashtu banore e Prishtinës.
Lahu: Përzgjedhja e mjekut familjar, e rëndësishme për qytetarët
“Normal i rëndësishëm është, por nuk po i bëjnë këto”, thotë Lahu.
Në anën tjetër, Rexhep Fazliu ka informacione për mundësinë e përcaktimit të mjekut të familjes por ende nuk ka aplikuar në platformë.
Fazliu: Përzgjedhja e mjekut familjar, qëllim i mirë
“Kam informacion të përgjithshëm, është ide dhe qëllim shumë i mirë, nëse ajo realizohet do të jetë mirë.....Jo [nuk kam aplikuar], por kam përvoja nga jashtë, në shtetet e perëndimit njerëzit e kanë mjekun familjarë dhe atij i drejtohen për të gjitha dhe mandej ai rekomandon tek profesionistët e caktuar për çështje të caktuara”, shprehet ky qytetar.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se Kosova ka kapacitete mjekësore për realizmin e këtij projekti.
Zëvendësministri Arsim Berisha thotë KosovaPress se projekti për zgjedhjen e specialistit të mjekësisë familjare lehtëson punën e profesionistëve shëndetësorë dhe rrit mirëqenien e pacientëve.
Berisha: Sistemi parësor shëndetësor ka kapacitet që të gjithë qytetarët të kenë mjekun e tyre familjar
“Kosova ka 1.6 milionë banorë dhe nëse ne themi se specialistë të mjekësisë familjare nga 2 mijë deri 3 mijë banorë që mund të lejojmë t’i ketë atëherë llogaria nga 600 specialistë të mjekësisë familjare që i kemi përafërsisht rreth 70% tashmë e kemi të mbuluar, kryesisht janë qytetet e mëdha që kanë numrin më të madh të specialistëve të mjekësisë familjare. Në planin e veprimit në mungesë të specialistit familjarë kemi përcaktuar që atë punë do ta kryejë mjeku i përgjithshëm. Jam i bindur që Kosova ka kapacitete në kujdesin parësor shëndetësor të bëjë mbulueshmëri universale mbi 90% edhe 100% mbulueshmëri gjeografike edhe me institucione shëndetësore por edhe kapacitetet njerëzore”, tha ai.
Berisha thotë se me projektin për përzgjedhjen e mjekut familjar synohet edhe ofrimi i shërbimeve të rregullta për pacientët.
Berisha: Programi i mjekut familjar lehtëson punën e mjekut dhe ofron shërbim të rregullta për qytetarët
“Ky projekt e ka për synim futjen në sistem të punës së profesionistëve shëndetësor dhe marrjes së shërbimeve nga ana e qytetarëve në mënyrë të rregullt dhe tek mjeku që e njohin dhe kanë mirëbesim...Ka një lidhje mirëbesimi kur qytetari e përzgjedh mjekun e vet, ka një lehtësim të punës dhe të krijojë vazhdimësi të kujdesit shëndetësor për pacientët nga ana e mjekut...Mjekët shumë më lehtë do të punojnë me pacientët që i njohin sesa me pacientët që futen për herë të parë në dhomën e tyre, është lehtësim dhe përgjegjësi direkte e mjekut”, tha ai.
Përzgjedhja e mjekut familjar është mirëpritur nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës.
Projekti, sipas kryetarit Besim Kodra, është i vonuar por ofron mundësi për trajtim më cilësor për pacientët kosovarë.
Kodra: Zgjedhja e mjekut familjar u garanton pacientëve të kenë një rrugëtim të mirë në kujdesin shëndetësor
“Kjo[përzgjedhja e mjekut]u garanton pacientëve të kenë një rrugëtim të mirë në kujdesin shëndetësor, pra shkojnë fillimisht tek mjeku familjar dhe nëse kanë indikacione të caktuara referohen për spital, por mjeku familjar është gjithmonë në mbikëqyrje të tij gjatë procesit jetësor të tyre. Kjo ndikon në parandalimin e sëmundjeve, trajtimin më të mirë të sëmundjes, ndikon në ndërtimin e një besimi më të madh në mes të pacientëve dhe stafit shëndetësor...fakti që ne vdesim 10 vite më herët se qytetarët e BE-së tregon se diçka në aspektin shëndetësor nuk jemi mirë, ne kemi shumë telashe po ajo kruciale është që ne nuk kemi mjek familjar të përzgjedhur”, theksoi Kodra.
Por nga Oda e Mjekësve e Kosovës konsiderojnë se ky projekt nuk mund të jetësohet derisa mungojnë sigurimet shëndetësore.
Sipas kryetarit Pleurat Sejdiu, Kosova nuk i ka krijuar parakushtet për funksionalizimin e këtij projekti.
Sejdiu: Pa sigurime shëndetësore nuk funksionon zgjedhja e mjekut familjar
“Është koncept që duhet të arrijë dhe është e vetmja zgjedhje e mirë apo zgjedhja më e mirë për popullatën tonë dhe mjekët, por në këtë moment unë besoj se nuk janë të krijuar të gjitha parakushtet që të fillohet të testohet po me projekte pilot në disa komuna do të duhej dhe do të ishte mirë që të fillojë dhe të testohet dhe të arrihet pas disa viteve me funksionalizimin e plotë të sigurimeve shëndetësore, përndryshe kjo nuk funksionin”, thekson Sejdiu.
Sejdiu shprehet skeptik për ecurinë e projektit të zgjedhjes së mjekut familjar edhe për shkak të numrit të specialistëve të mjekësisë familjare që janë të punësuar në sistemin parësor shëndetësor.
Sejdiu: Me këtë numër të mjekëve familjarë të punësuar, i pamundur projekti i përzgjedhjes
“Nëse punësohen edhe këta 500 e sa mjekë të përgjithshëm, me risistematizim në nivel komunal, atëherë mund të bëhet, por menaxhimi në komuna i sistemit shëndetësor, ata që menaxhojnë sistemin primar, është katastrofal...jo vetëm me këta [specialistët mjekësor të punësuar] është e pamundur, mund të jenë komuna si Prishtina e cila ka mjaft mjekë dhe e ka një territor të vogël, përkundër numrit të madh mund të bëhet por jo në komunat ku mundojnë edhe në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, në 80% të komunave nuk mund të bëhet kjo”, tha ai.
Në Kosovën me rreth 1.6 milionë banorë, sistemi parësor shëndetësor është i shtrirë në të gjitha komunat.