Shkolla e Çikatovës së Vjetër me mungesë të kuadrove

Kosova

Shkolla e Çikatovës së Vjetër me mungesë të kuadrove

Më: 26 tetor 2024 Në ora: 21:10
Shkolla e Çikatovës së Vjetër

Në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, nxënësit e klasës së shtatë, që dy muaj nuk e kanë mbajtur gati asnjë orë të matematikës. Kjo gjendje është krijuar nga mungesa e kuadrit profesional për këtë lëndë.

Nxënësit e kësaj shkolle po përballen edhe me një problem tjetër. Meqë nuk është përfunduar fusha e edukatës fizike, ata detyrohen të luajnë në terren të vrazhdë. Nga ana e saj, Komuna e Drenasit premton zgjidhje të shpejtë të këtyre problemeve.

Mbi 130 nxënës e ndjekin mësimin në shkollën “Dëshmorët e Drenicës” të Çikatovës së Vjetër të Drenasit. Por, disa prej tyre ka më shumë se 6 javë që nuk kanë mësuar nga lënda e matematikës.

Në mungesë të mësuesit të matematikës, nxënësit e klasës së VII pothuajse për kaq kohë nuk kanë mbajtur asnjë orë mësimi në këtë lëndë.

Për këtë çështje, drejtoresha e shkollës, Dreniza Hasi, nuk ka pranuar të prononcohet para kamerës, por mbrapa saj nuk e ka mohuar këtë problematikë.

Megjithatë, shpjegim ka dhënë drejtori i Arsimit në Drenas, Muhamet Gjoka, i cili thotë se orët e humbura janë zëvendësuar. Sipas tij, problemi qëndron te mungesa e kuadrove të kualifikuara.

"Në fakt orët janë zëvendësuar, janë zëvendësuar nga koordinatori i cilësisë. Jemi në përfundim të procedurës dhe këtë javë vetëm përfundon procedura për angazhimin e mësimdhënësit të matematikës. Vlen të theksohet që profili i matematikës ka mungesë të kuadrove me të cilën po ballafaqohet jo vetëm komuna e Drenasit por edhe gjitha komunat ne përgjithësi...", tha Muhamet Gjoka,drejtor i Arsimit në Drenas.

Një problem tjetër i kësaj shkolle është edhe fusha e papërfunduar për edukatë fizike.

Nxënësit detyrohen të luajnë e zhvillojnë aktivitet në këtë terren të vrazhdë. Arsyet e mospërfundimit të tërësishëm të kësaj fushe, sipas drejtorit të Arsimit, lidhen me kontratën kolektive.

"Këtë vit jemi dëmtuar jashtëzakonisht shumë, për shkak të kontratës kolektive, mbi 3 milion euro janë inkasuar përmes përmbaruesit por po shpresoj që deri në fund të vitit ta realizojmë projektin që ka qenë planifikuar dhe i buxhetuar”, tha Gjoka.

Sidoqoftë, zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit të Drenasit premtuan zgjedhje të shpejtë të këtyre problemeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat