Gazetari që për disa dekada ka mbuluar sektorin e energjisë, Mehmet Gjata, tha se në Kosovë do të kishte qenë e nevojshme një ulje e çmimit të energjisë elektrike që më herët, por përkundrazi, çmimi ka vazhduar të rritet. Ai thekson se nuk pret ulje të çmimit të energjisë, duke u shprehur se duhet të lutemi të mos ketë ngritje të reja.
‘’Ne po jetojmë në Kosovë, realisht do të duhej më herët të ulej pak çmimi i energjisë elektrike, por vetëm ka shkuar duke u rritur edhe unë personalisht nuk pres ulje të çmimit të energjisë elektrike , duhet të lutemi të mos ketë ngritje të reja të çmimit të rrymës elektrike’’, tha Gjata.
Sipas tij, kompanitë KEDS dhe KESCO vazhdojnë të bombardojnë me kërkesa për rritjen e çmimeve, duke depozituar kërkesat e reja çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj.
‘’KEDS dhe KESCO bombardojnë me kërkesa për ta rritur çmimin e energjisë elektrike vazhdimisht, ata I deponojnë çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj kërkesat e reja’’, tha Gjata.
Gjata kritikon ZRRE-në, rregullatorin e energjisë, për tolerancën e tij ndaj kërkesave të këtyre kompanive. Ai shprehet se, pavarësisht që ky vit ka parë një ulje simbolike shumë t ulët të çmimit, në të tjera raste ZRRE ka miratuar të gjitha kërkesat për rritje. Ai nuk pret që çmimi të ulet, por lutet të mos ketë ngritje.
‘’ZRRE si rregullator edhe I çmimeve është treguar gjithmonë shumë tolerant ndaj kërkesave të këtyre, vetëm këtë vit e ka ulur pak rrymën simbolikisht sa mos me thënë hiq se në të tjera raste gjithmonë u a ka miratuar të gjitha kërkesat prandaj nuk pres që t ulet çmimi I rrymës elektrike unë lutem të mos ngritët’’, tha Gjata.
Ai thekson se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë varet nga dimri, koha, temperaturat, dhe reshjet. Gjithashtu, ai thekson se konsumi dhe nevoja për importim energjie ndikojnë në çmimet. Rritja e konsumit dhe kërkesave për energji, sipas Gjatas, gjithmonë çon në rritjen e çmimit të rrymës.
‘’Çmimi tek ne varet nga dimri ,koha ,temperaturat, të ulëta apo të larta a ka shumë të reshura dhe sa zgjasin , nga konsumi përkatësisht a do të mund ti përmbushim nevojat nga prodhimi vendor apo do të jemi të detyruar të importojmë, çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare absolutisht lëviz lart, absolutisht është rregull e shkruar praktikisht shtohet konsumi shtohen kërkesat për energji dhe rritet çmimi i rrymës‘’, përfundoi Gjata.