Bujqit shprehen të kënaqur me subvencionet, federata thotë se ka vonesa

Kosova

Bujqit shprehen të kënaqur me subvencionet, federata thotë se ka vonesa

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 06:24
Foto ilustrim

Bujku, Hajrullah Osmanaj tash e më shumë se 20 vite merret me bujqësi në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë.

Por, ai nuk mbanë mend që më herët kulturat bujqësore të jenë subvencionuar me një çmim të tillë.

“Po subvencionet i marrim çdo vite. Qe tri vitet e fundit me ministrin që është në qeveri Faton Peci,janë të rriturat krejt kultura e subvencioneve na e marrim për shembull për patate 654 euro subvencione, për grurë 474 edhe jam përfitues i garantit këtë vit 100 mijë euro projekti e kom fitu traktorin me mjete me krejt”, shprehet ai.

Osmanaj, që është prodhues i patates dhe grurit në të ardhmen pretendon të rritë prodhimet e tij.

“Sivjet i kam pas 15 hektar patate edhe grurë 15, por prej këtij viti e knena du me rritë hapësirën me grurë i kom të mbillna 20 hektar edhe nja 10 ka mi mbjellë kismet e patate du mi bo 20 se shkaku që e kom fitu grantin”, thotë Osmani.

E se subvencionet dhe grantet janë rritur këtë e thonë edhe nga Federata e Bujqve të Kosovës.

Tahir Tahiri kryetar i Federatës thotë për televizionin se janë thjeshtësuar edhe procedurat e aplikimit për subvencione.

Ani pse mënyrë e lehtë po thuhet të jetë ajo e aplikimit të subvencioneve, ekzekutimi i tyre nuk po del të jetë i tillë.

Rritja e subvencioneve e ka dhënë efektin e vet mirëpo do të jepte një efekt shumë më të madh nëse jepen me kohë subvencionet, dmth prej mbjelljes e deri te korrja e një kulture bujqësore në atë periudhë duhet me gjetë mundësin Ministria e Bujqësisë me ua dhënë bujqve që qato para me i investua në zhvillimin e qasaj kulturës bujqësore”, thotë ai.

Madje, Federata e Bujqve të Kosovës i ka propozuar Qeverisë të bëjë ndarjen e ekzekutimit të subvencioneve në dy etapa.

“Subvencionet e mbjelljes vjeshtore ku do të hyshin edhe subvencionet për lop, për bletari për pemtari mujn mi dhanë edhe në vjeshtë edhe në pranvere kurdo që i jepin bujkut këto subvencionet mujm ni investu port e gruri jo se nese jepet mas korrjes së grurit atëherë ato para nuk po e dhojnë efektin e vet”, shprehet Tahiri.

Ndërsa,Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka pasur të hapur afatin për aplikim të subvencioneve nga muaji mars deri në muajin prill të këtij viti.

Televizioni ka tentuar të kontaktoj edhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me vonesat në ekzekutimin e subvencioneve por nga të njëjtit nuk ka marrë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat