Ndarja e mbeturinave, në shërbim të ruajtjes së mjedisit

Kosova

Ndarja e mbeturinave, në shërbim të ruajtjes së mjedisit

Më: 28 tetor 2024 Në ora: 06:56
Foto ilustrim

Në një lagje të Junikut ka filluar ndarja e mbeturinave në burim. Ky projekt, i cili do të shtrihet edhe në lagje të tjera, ka për qëllim ruajtjen e mjedisit.

Banorët e lagjes "Agim Ramadani" në Junik do të kenë mundësi shumë më të mira për ruajtjen e mjedisit të tyre. Kjo pasi që të gjitha ekonomitë familjare në këtë lagje janë pajisur me nga dy kontejnerë për mbeturina të letrës dhe plastikës dhe me nga një komposter për riciklim të mbeturinave organike.

"Për çdo javë më është dashur ta heq bërllogun me kaci se këtu bie plot pemë e dushk. Tash është mundësi e mirë shumë e mirëseardhur për ne. Janë të ndara këto secila për drejtimin e vet ca duhet", tha për RTK qytetari Kadri Qerimi.

"Për të gjitha këto shishe sa i gjuan njeri rrugëve i qet këtu në kontejnera, një për karton, një për shishe edhe një për bari, për ta mbajtur vendin pastër e mirë", tha Sabrije Hoxha.

Ky realitet u bë i mundur pas një pune gati dyvjeçare të Komunës së Junikut përmes grantit të performancës dhe GIZ-it gjerman, thonë zyrtarët e kësaj komune.

“E kemi bërë një analizë të përbërjes së mbeturinës, sipas të cilës ka dalë që 30% e mbeturinës organike, 15 % e shishes së plastikës ndërsa 17 % letër, karton dhe najlon. E gjithë kjo bëhet që të ulët sasia e deponimit të mbeturinave në deponinë rajonale në Pejë", tha Demokrat Ganijaj, menaxher i projektit.

Kryetari i Junikut e mirëpriti këtë projekt. "Falë donacioneve që i kemi marrë edhe nga GIZI-gjerman dhe mbështetjeve tjera që i kemi pas ne kemi hyrë në fazën kur po i shpërndajmë nëpër ekonomitë familjare, fillimisht nëpër hapësira publike në mënyrë që të ndahet plastik, letra edhe mbeturinat organike", tha Ruzhdi Shehu, kryetar i Junikut.

Sipas zyrtarëve komunalë, ky projekt do të realizohet edhe nëpër lagjet tjera të Junikut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat