Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, nënshkruhet kontrata për punë shtesë në Lotin 5 – thuhet se do të kryhen për 30 ditë

Kosova

Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, nënshkruhet kontrata për punë shtesë në Lotin 5 – thuhet se do të kryhen për 30 ditë

Më: 30 tetor 2024 Në ora: 10:51
Foto ilustrim

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratën për punë shtesë në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë, që është cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme. Tenderi është dhënë për punë në Lotin 5.

Në bazë të njoftimit për nënshkrim të kontratës, punimet pritet të kryhen për 30 ditë.

Vlera e kontratës, e cila është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, është 32 mijë e 404 euro.

Kontrata është nënshkruar me kompaninë “BENI – COM SH.P.K”, më 25 tetor. Punët që parashihet të kryhen me këtë kontratë janë në Rrethrrotullim dhe Urën mbi lumin Llap.

Kontrata për punë shtesë janë dhënë edhe për Lot’et e tjera.

Sipas dosjes së tenderit, rruga Prishtinë-Podujevë është dashur të përfundojë në fund të muajit gusht. Punimet në këtë rrugë kanë filluar me 3 korrik 2023 e finalizimi i tyre është paraparë të bëhet për 425 ditë, rrjedhimisht 31 gusht të këtij viti. Kjo nuk ka ndodhur.

Ditë më parë, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka shprehur besim se kjo rrugë do të përfundojë gjatë mandatit të tij. Ai ka thënë se kanë mbetur disa punë shtesë, siç janë urat e rrethrrotullimet, por që ka thënë se punimet po kryhen me ritëm më të shpejtë se në rrugët e tjera.

Lidhur me këtë rrugë, Aliu ka thënë se janë kujdesur që shpronësimet t’i kryejnë me kohë.

“Normalisht është një vit afati kohor, duke i përfshirë ditët e punës dhe me mundësi që ato edhe kur ka probleme me motin, mund të ketë shtyrje e mos llogaritje të ditëve, e që normalisht ky 365 ditësh nuk përfundon saktë gjithmonë. Tek rasti i rrugës së Podujevës, po shkon gjithçka brenda afatit deri tash. Tek urat, ura e Lluzhanit, ura në Vranidoll, ura në Bardhosh, kemi pas ngecje për shkak të disa shtyllave të KEDS’it, por të gjitha janë probleme që po zgjidhen edhe po ec sipas ritmit”, ka thënë Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat