Një person në Fushë Kosovë i ka vënë zjarrin qëllimisht njehsorëve të rrymës elektrike të një ndërtese, duke ua rrezikuar jetën të gjithë banorëve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka njoftuar se i dyshuari tashmë është arrestuar edhe është dërguar në mbajtje.
“Rreth orës 00:30 në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, është raportuar një zjarr në njehsorët e rrymës elektrike të një objekti. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ka identifikuar një person të dyshuar, dhe të njëjtin me rekomandimin e prokurorit të shtetit e ka dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, tha ai.
Ndryshe, në disa pamje që qarkulluan në rrjetet sociale, shihet momenti kur një i ri i vë zjarrin qëllimisht njësorëve të rrymës elektrike.