Në sistemin shëndetësor të Kosovës vazhdon një krizë, e cila kërcënon cilësinë e kujdesit që u ofrohet pacientëve.
Spitali i Përgjithshëm në Vushtrri dhe ai në Ferizaj ka rreth tre vjet që funksionojnë pa biokimistë.
Për pasojë, analizat laboratorike, të cilat janë kritike për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, lexohen nga stafi i infermierëve dhe teknikëve - gjë që ngre shqetësime për saktësinë dhe besueshmërinë e tyre.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) - i cili mbikëqyr spitalet rajonale - thotë se ka shpallur disa konkurse për specialistë të biokimisë, por se interesimi i tyre mbetet i ulët.
Institucionet publike shëndetësore në Kosovë nuk kalojnë nëpër ndonjë procedurë licencimi - kur themelohen, ato sigurohen se i plotësojnë kriteret me staf dhe pajisje, për të funksionuar si të tilla.
Spitali i Vushtrrisë pa biokimist nga viti 2022
Në Vushtrri, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm, Shefkije Shatri, thotë se mungesa e biokimistit e vështirëson mbarëvajtjen e punëve.
“Deri në vitin 2022 i kemi pasur dy biokimistë. Nga ajo kohë nuk kemi. Janë hapur konkurse, por ende nuk ka”, thotë ajo.Në mungesë të tyre, Shatri thotë se rezultatet e analizave në këtë spital i kontrollon shefi kryesor i laboratorit, i cili, siç thotë, “është infermier me përvojë 20-vjeçare”.
“Unë nuk e di a ka të drejtë t’i lexojë analizat ai, sepse nuk jam e thirrur për këtë, por mund të them se ne vuajmë për një biokimist që nuk e kemi”, thotë Shatri për Radion Evropa e Lirë.
Ajo tregon se, viteve të fundit, janë shpallur disa konkurse për pozitën e biokimistit, por se “nuk ka pasur të interesuar”.
“Ata po joshen më shumë nga sistemi privat”, sipas saj.
Në spitalin që udhëheq Shatri në Vushtrri - komunë me rreth 61.000 banorë - bëhen më shumë se njëqind analiza brenda ditës.
Kushtet e punës në laboratorin kryesor, sipas stafit, janë të mira dhe aparatura është e re.
Spitali i Ferizajt pa biokimist për më shumë se tre vjet
Situatë pothuajse identike është edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt - komunë me rreth 105.000 banorë.
Për më shumë se tre vjet, ky spital funksionon pa biokimist.
“Diku nga viti 2020/2021, spitali është pa biokimist”, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të spitalit, Fikret Arifi.
“Para disa ditësh kanë ardhur punëtorë të rinj - në mesin e tyre edhe biokimistja, e cila tash ka shkuar në pushim të lehonisë. Tani, në proces të rekrutimit kemi edhe një biokimist tjetër”, shton Arifi.
Ai tregon se ka autorizuar një mjek internist-reumatolog, i cili monitoron punën në laborator, porse, sërish, punën kryesore rreth analizave e bëjnë laborantët.
Sipas statistikave të spitalit, shërbime për analiza aty kërkojnë mbi dy mijë pacientë në muaj.
Mungesa edhe në Spitalin e Mitrovicës së Jugut
Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës së Jugut punon vetëm një biokimiste - jashtë orarit të saj, analizat i lexon stafi ndihmues.
Drejtori mjekësor, Gëzim Berisha, thotë se spitali ka nevojë për më shumë biokimistë, pasi aty kryhen mbi 200 analiza në ditë.
“Ne në konkursin e fundit kemi kërkuar edhe një biokimist shtesë, por nuk ka aplikuar askush”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Kur biokimistja nuk është në punë, analizat i lexojmë bashkë me laborantë, e shpesh edhe me doktoreshën, edhe pse është jashtë orarit të punës”, thotë Berisha.
Rëndësia e biokimistëve
Profesionistët shëndetësorë thonë se puna e biokimistëve është thelbësore për trajtimet mjekësore, si dhe për përmirësimin e metodave të diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve.
Profesoresha Valdete Topçiu-Shufta, specialiste e biokimisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm laboratorët në spitale, por edhe ata në shtëpi të shëndetit duhet të kenë së paku një biokimist të specializuar, i cili i bën valide analizat e bëra - përndryshe ka rrezik që leximi i tyre të mos jetë i saktë.
“Rezultati duhet të kontrollohet nga dora e mjekut, e specialistit, përpara se të lëshohet. [E nëse nuk ka biokimist], kjo çështje i takon Ministrisë [së Shëndetësisë] që ta rregullojë”, thotë Topçiu-Shufta.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se çdo spital i përgjithshëm apo special, është i obliguar ta ketë laboratorin biokimik-hematologjik, e bashkë me të edhe profesionistin e lëmit shëndetësor.
Për rastet konkrete në Ferizaj e Vushtrri, nuk japin komente.Në SHSKUK thonë se ky institucion ka shpallur disa herë konkurse për pranimin e mjekëve specialistë - në mesin e tyre edhe biokimistë.
“Në disa spitale janë plotësuar këto pozita, përderisa në rastet e tjera nuk ka pasur të interesuar”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Drejtorisë së SHSKUK-së, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Aty theksohet, po ashtu, se në kuadër të planit të tyre për shërbimet e biokimisë, gjatë vitit të ardhshëm, parashihet të ketë riorganizim në të gjithë laboratorët që menaxhohen nga SHSKUK-ja.
Rreth 20 specializantë të biokimisë janë duke kryer shkollimin në këtë lëmi dhe, vitin ardhshëm, pritet të shërbejnë edhe në institucione publike, sipas SHSKUK-së.
Por, kjo mungesë nuk është e izoluar vetëm te biokimistët.
Institucionet publike të kujdesit shëndetësor në Kosovë përballen me mungesa të specialistëve edhe në fusha të tjera kritike, e veçanërisht anesteziologë.