Prokuroria kërkon paraburgim ndaj tre të dyshuarve për plantacionin e drogës në Klinë

Kosova

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj tre të dyshuarve për plantacionin e drogës në Klinë

Më: 31 tetor 2024 Në ora: 16:07
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për tre të pandehur, Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi, të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Në kërkesën e prokurorisë, të cilën e posedon Dukagjini, thuhet se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, për të parandaluar ikjen e të pandehurve dhe për të garantuar vazhdimin e procedurës hetimore.

“Të pandehurit Gzim Gashi dhe Faik Gashi gjenden në ndalim nga data 30.10.2024.2024 ora 16:30 , ndërsa i pandehuri Selim Gashi gjendet në ndalim nga data 31.10.2024 ora 12:00 , me dyshimin e bazuar se kishin për të kryer vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 par. 1 lidhur me nenin 77 dhe nenin 275 par. 1 nën par.  1.1 dhe 1.9 të KPRK-së, T’U CAKTOHET PARABURGIMI, nga shkaku se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara në nenin 184 par. 1 nën par. 1.1 dhe nën par. 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe nën par. 1.3 të KPPK-së”.

Po ashtu, në kërkesën e prokurorisë thuhet se i pandehuri Albion Kalemi gjendet në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Me të gjithë këta të pandehurit Gzim, Faik dhe Selim kanë raporte tejet të mira.

“Prandaj, me lënien e të pandehurve Gzim, Faik dhe Selim në liri, ekziston rreziku real që të ndikojnë në dëshmitarë, me theks të veçantë në të pandehurin tjetër të cilët gjenden në arrati, e krejt kjo me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes në favor të tyre”, thuhet nga ana e prokurorisë.

Sipas prokurorisë, Faik Gashi është i njohur për organet policore, duke u përfshirë në dy raste të falsifikimit të dokumenteve në vitet 2023 dhe 2024.

Ndërsa, Gzim Gashi ka një histori të gjatë kriminale, me 67 raste penale si i dyshuar dhe 22 aktgjykime të formës së prerë.

Nga ana tjetër, Selim Gashi është i dyshuar në 9 raste penale dhe ka dy aktgjykime të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat