Komuna e Vushtrrisë dhe kompania “SPEEX Education” kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me bashkëfinancim.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka thënë se kjo marrëveshje zgjeron bashkëpunimin me kompaninë SPEEX edhe në fushën e programimit, përveç asaj të mësimit të gjuhëve të huaja.
Ai ka theksuar se pret sukses nga ky bashkëpunim “i rëndësishëm për edukimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve”.
“Sot nënshkruam marrëveshje bashkëfinancimi me ‘SPEEX Education’, kemi një përvojë jashtëzakonisht të shkëlqyer në edukimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve dhe të rejave, ku më herët kemi pas bashkëpunim për mësim të gjuhëve të huaja, ndërsa tani e kemi avancuar edhe në fushën e programimit”, u shpreh Idrizi.
Ndërsa, Fikret Murati nga kompania “SPEEX”, tha se komuna po e bashkësubvencionon këtë modul të ri të trajnimeve.
“Përgjatë tre viteve të kaluara kemi pas një bashkëpunim shumë të mirë me Komunën e Vushtrrisë, jemi të lumtur që po e fillojmë edhe me një degë të re, pra me fushën e zhvillimit softwerik ku është një fushë e kohës ku komuna po e bashkësubvencionon këtë modul të trajnimeve”, u shpreh ai.