Një protestë solidarizuese me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës sot kanë organizuar Kolektivi Feminist dhe organizata Përpjekja.
Me thirrjet “Kryetar mos hesht”, “Kuvendar mos heshtni”, “Qeveri mos heshtni”, “Mos i shtypni punëtorët e Kuvendit”, “Schafberger shtyp punëtoret, Kuvendi e lejon”, kështu u kërkua përmbushje e kërkesës së këtyre punëtoreve teknike për rritje të pagës në 550 euro.
Për më shumë se 2 muaj punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës janë duke protestuar para Kuvendit të Kosovës.
Aktivisti i organizatës “Përpjekja”, Yll Islami ftoi të gjithë qytetarët që t’u dalin në mbështetje këtyre punëtoreve që janë në grevë.
Islami: Jemi këtu për të kërkuar paga të dinjitetshme për punëtoret
“E kemi organizuar protestën për solidarizim me gratë greviste që janë në grevë që 2 muaj. Jemi këtu për të kërkuar paga të dinjitetshme për punëtoret. Kërkesa e tyre është që paga t’u bëhet 550 euro. Ato janë paguar deri më tani dhe vazhdojnë të paguhen me 275 euro. Ftojmë të gjithë aktivistët dhe qytetarët që t’i bashkohen këtë iniciativë në mbështetje të grave greviste”, tha ai.