​Bujqit në hall me normat e larta për kredi nga institucionet mikrofinanciare

Kosova

​Bujqit në hall me normat e larta për kredi nga institucionet mikrofinanciare

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 13:06
Foto ilustrim

Institucionet mikrofinanciare po tregohen mjaft “dorë shtrënguar” në raport me fermerët të cilët në të shumtën e rasteve kanë vështirësi për qasje në financa për mungesë të garancive që kërkojnë bankat komerciale.

Me gjithë këto kushte të vështira dhe norma të larta deri 19.2 për qind ose tre fish më të larta se kamatat në bankat komerciale, fermerët dhe të tjerët nuk u ndalën në marrjen kredive. Nga janari deri në shtator, institucionet mikrofinanciare dhe financiare jo bankare kanë pasur fitim të pastër 15 milionë e 200 mijë euro.

Fermeri Xhemë Krasniqi i cili merret me bujqësi tash e shumë vite, rrëfen për KosovaPress sfidat që po hasin për të ‘mbijetuar’ në këtë sektor. Madje, për të mos hequr dorë nga kjo veprimtari, ai thotë se pak kohë më parë janë detyruar të marrin kredi në një institucion mikrofinanciar për të mbuluar shpenzimet karshi nevojave të tregut.

Ai derisa tregon se kanë marrë kredi 15 mijë euro, thotë se janë të detyruar të kthejnë rreth 6 mijë euro më shumë.

“Ne merremi me blegtori, e dorëzojmë qumështin tek një qumështore. Kredi kemi në FINCA, 15 mijë euro i kemi marrë aty, diku për 5 vjet do t’i kthejmë rreth 6 mijë euro më tepër. Ato i kemi marrë para pak kohe, na duhen për të mbjellë grurin, na duhen për naftë, farë, për të gjitha, dhe i kemi shtuar edhe dy krerë lopë”, thotë Krasniqi.

Më tej Krasniqi thotë se kamatat për bujqit janë shumë të larta, derisa ka kërkuar edhe ndihmën e shtetit në këtë drejtim.

“Me ja dalë po mundemi, por për kamatat janë shumë të larta për bujqit, por, çfarë të bëjmë...Me mujt shteti të na ndihmojë është shumë mirë për neve, sa jemi duke punuar aktualisht, mund të punojmë edhe njëherë kaq më shumë...Mundemi edhe ta lëmë, sepse kamatat e larta, shteti edhe po na vonon subvencionet, por, po e provojmë njëherë kështu”, thotë Krasniqi.

KosovaPress ka verifikuar edhe në njërën prej institucioneve mikrofinanciare për normat e kredive. Të njëjtit thonë se maksimumi i kredisë për bujqësi është deri në 25 mijë euro, duke theksuar se kohëzgjatja e kthimit është për 60 muaj apo 5 vjet, me këst 580 euro.

Në anën tjetër, guvernatori i Bankës Qëndrore të Kosovës, Ahmet Ismaili thotë se normat e kredive për bankat dhe jo bankat, në përgjithësi ato janë mbi mesataren e rajonit.

“Normat e kredive për bankat dhe jo bankat pak a shumë e kanë ndjekur trendin paraprak. Në përgjithësi ato janë mbi mesataren e rajonit. Pra, nëse e shikon në rajon ka banka që kanë kamata më të larta se Kosova, ka që kanë më të ulëta, por megjithatë mesatarja e Kosovës është ende mbi mesataren e rajonit. Ka pasur një përmirësim nga 6.6 për qind në 6.3 për qind, të dhënat e fundit janë diku rreth 6.17 për qind. Pra, norma e interesit në kredi bankare ka filluar duke rënë, por ende ne mendojmë që ka hapësirë për konkurrencë, ende ka hapësirë për përmirësim, dhe ende mendojmë që ekziston, ka shumë parametra që tregojnë që norma e interesit në kredi mundet, dhe ne presim që të zbret më tutje...Në sektorin bankar publikimi i fundit është rreth 6.17 për qind në kredi në banka, kurse, ndërmjet 17 për qind në jo banka nga 20 e diçka për qind që ka qenë viteve paraprake”, thotë Ismaili.

Ndërsa, Kujtim Sahitaj, udhëheqës i marketingut, departamenti i marketingut në Kreditimin Rural të Kosovës (KRK), duke folur për kërkesat, thekson se kryesisht dominojnë klientët në bujqësi. Ai ka shtuar se si institucion mikrofinanciar i mbështesin bujqit në këtë drejtim për qasje në financa.

“Ne jemi institucion mikrofinanciar, kryesisht japim kredi për bujq, biznese, konsum, renovim e me radhë… Kemi klientë të dy aktiviteteve, por, kryesisht dominojnë klientët në bujqësi...Ne edhe si institucion i mbështesim shumë bujqit, kështu edhe procedurat nuk janë shumë të vështira për të marrë një kredi, normal duhet me pas aktivitete që kryen me bujqësi, pastaj janë procedurat tjera që kur ofrohesh në institucion merr detaje më të sofistikuara lidhur me kredinë e bujqësisë”, thotë Sahitaj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna kërkon nga institucionet mikrofinanciare që t’i zbresin normat e interesit.

“Mikrofinancat e kanë si produkt ofrimin e kredive, sidomos tek bujqësia, për arsyeje se i kanë procedurat shumë më të thjeshta dhe marrin rriskun më të madh për vete. Kërkesa jonë është që të shihet mundësia që të ulen këto interesa, por për t’u ulur këto interesa duhet ulur me gjitha institucionet mirkofinanciare dhe të shihet se cilat janë kërkesat e tyre dhe çka duhet të plotësojmë tek kërkesat e tyre që ato të kenë rrisukun më të vogël. Duke ja ulur rriskun si institucione publike, institucioneve mikrofinanciare, padyshim që edhe ato ndikojnë në uljen e normës së interesit të kredive”, thotë Rafuna.

Këto institucione mikrofinanciare ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta, por me procedura më të thjeshta sesa bankat komerciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat