Vetëm dy dekada më parë, stacionet e trenave në Kosovë ishin të mbushur me udhëtarë. Por, numri i qytetarëve që po e përdorin trenin si mjet udhëtimi po shënon rënie çdo vit e më shumë. Në “Trainkos” thonë se nuk janë në gjendjen më të mirë, ndërsa ASK bën me dije se brenda një muaji vetëm 5 mijë udhëtarë po udhëtojnë me tren.
Gjithçka po bëhet gati në ambientet e “Trainkos”. Treni do të nisë një udhëtim të zakonshëm.
Fillimisht do ta marrë rrugën për në Prishtinë.
E stacioni i parë, është pikërisht ai në Fushë Kosovë, e që është më i madhi në vend.
Por, numri i udhëtarëve që hipën këtu nuk është i madh.
Nga këtu, ky mjet transporti vazhdon rrugën për në kryeqytet.
Në stacionin e Prishtinës, numri i udhëtarëve shtohet.
Janë këta qytetarët që vijnë nga komunat e tjera e posa e përfunduan punën në kryeqytet.
E për kthim në shtëpi, zakonisht e shfrytëzojnë trenin.
E para nisjes, fillimisht duhet që lokomotiva të dalë në anën tjetër të vagonëve.
Por, sa kushton një biletë e udhëtimit me tren në Kosovë?
“Këtu kemi shumë stacione, të gjitha s’mund t’i tregoj, por deri në Pejë 3 euro bileta e rregullt. Për studentë e të moshuar e nxënës, është 1.50 euro”, shprehet konduktori.
Kur ora shënon 16:30, nga Prishtina treni niset në drejtim të Pejës.
Të kënaqur me shërbimet që po iu ofrohen janë qytetarët, shumica e të cilëve hezituan të prononcohen para kamerës.
“Unë udhëtoj me tren që 9 vite, punoj në Prishtinë, shërbimet janë shumë të mira, nga stafi, konduktorët e të gjithë, numri i njerëzve është njëjtë gjithë, nuk ka rënie a ngritje, çmimet janë shumë të mira, 100 hise më mirë se me autobus”, shprehet Agon Tahiraj, udhëtar nga Drenasi.
E numri i kosovarëve që e shfrytëzonin trenin si mjet udhëtimi para luftës së fundit në Kosovë, ishte shumë më i madh.
Florim Gjyrevci për tri dekada punoi si makinist i trenit.
Ky e mban mend edhe kohën kur në stacion e prisnin mijëra udhëtarë.
“Para luftës ka pasur më mijëra udhëtar. Fushë Kosova ka qenë e vetmja qendër e cila e ka lidhur Evropën me Kosovën dhe gjithë udhëtarët e kanë përdorur trenin. Të moshuarit e dinë se sa njeri e ka përdorur trenin, shembull në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, kanë qenë deri në 10 mijë veta kur i kanë përcjellë në mënyrë organizuar udhëtimet e familjarëve për ushtri. Zakonisht shqiptarët e kanë përdorur trenin Minhen – Athinë dhe anasjelltas i cili ka qarkulluar dy herë në ditë. Atëherë u bojshin deri në 17 vagonë, 13-14 vagonë kanë qenë të rregullt”, shprehet ai.
Por, Gjyrevci thotë se vetëm dy dekada më pas, po e sheh një pamje krejt tjetër në stacionet e trenit.
“Kemi udhëtar në mëngjes, ata që udhëtojnë për punë, kryesisht nga Peja, apo Dukagjini dhe Drenicës, që punojnë në Prishtinë, këta e përdorin trenin shumë, mëngjes dhe kur kthehen prej punës në mbrëmje. E kemi edhe një tren kur shkon në ora 8:00 të mëngjesit, shumë pak ka udhëtar”, tregon Gjyrevci.
E për Tëvë1, Drejtori i Departamentit të Transportit të Mallrave në Trainkos, Sabit Berisha, tregoi se sa trena qarkullojnë në hekurudhat e Kosovës.
“Jemi në një formë dhe pozitë jo të mirë të mjeteve lëvizëse, edhe tërheqëse dhe të tërhequra, tani sa trena i kemi? Janë katër trena brenda 24 orëve që qarkullojnë për Pejë, ai është relacioni. Tjera trena nuk kemi, për shkak se vija hekurudhore, korridori 10 është i mbyllur”, thotë Berisha.
Ndryshe në të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikës së Kosovës, thuhet se në muajin gusht të vitit 2024, numri i udhëtarëve ishte afër 5 mijë.
Ose 2,5% më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa sasia e mallrave të transportuar në neto tonë ishte zero.