Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, në një lidhje direkte në emisionin “Dita e re” ka thënë se në fund të muajit pritet që të ketë reshje bore pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Derisa ka shtuar se ky dimër pritet të jetë i ftohtë.
“Kemi pasur një verë shumë të nxehtë, llogaritet një verë rekorde me temperatura të larta dhe sipas statistikave sa herë që kemi pasur verë të nxehtë kemi pasur dimër të ftohtë. Java e fundit e nëntorit do të kemi reshje të borës edhe në vise të ulëta, por që nëntori do të përfshijë borë pothuajse në të gjithë territorin”, ka thënë Aliu.
Gjatë kësaj jave temperaturat pritet të shkojnë deri në 10 gradë celsius.
“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave të ajrit me presion të rritur atmosferik, në këto kushte nuk do të mund të kemi reshje të intensitetit të lartë, mund të kemi fjolla bore, por që reshjet do të jenë të intensitetit të dobët. Temperaturat gjatë kësaj jave do të jenë minimalet nga -2 deri në 3 gradë celsius, kurse maksimalet nga 6 deri në 10 gradë. Kjo javë krahasuar me javë që lam pas do të jetë paksa dinamike pasi që nuk kemi pasur reshje që sa kohë, tani do të kemi reshje të intensitetit të dobët apo mesatar”, ka thënë Aliu.