Vushtrria u është bashkuar komunave që kanë marrë vendim për ndalimin e doracakut të “Edukimit Seksual”
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Vushtrri, Albanez Tahiraj i cili përmes një postimi në Facebook tha se nuk lejojnë që doracakë dhe materiale me përmbajtje siç i quajti, denigruese dhe abuzuese të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve.
“Vendim për ndalimin e doracakut në shkolla. Në cilësinë e drejtorit të DKA-së, kam marrë vendim për ndalimin e përdorimit të doracakut: “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues”, në të gjitha shkollat e Komunës së Vushtrrisë”.
“Nuk lejojmë asesi që doracakë dhe materiale me përmbajtje denigruese dhe abuzuese të jenë pjesë e edukimit të fëmijëve tanë! Mbesim të përkushtuar të punojmë me MASHTI dhe akterë tjerë për të zhvilluar materiale adekuate në interes të fëmijëve-nxënësve tanë”, thuhet në njoftimin e tij.