Në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë aktualisht janë duke vijuar mësimin 48 fëmijë me aftësi të kufizuar. Por në këtë shkollë të punësuar nga komuna janë vetëm 3 asistentë të cilët po u ofrojnë mbështetje këtyre nxënësve.
Që dy vite, dy nxënës me aftësi të kufizuar kanë filluar shkollimin në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë.
Njëri 9 vjeç dhe tjetri 12 vjeç tani po vijojnë procesin mësimor në klasë të dytë.
Sekretari i shkollës, Betim Ahmeti thotë se me këta fëmijë janë duke punuar që të sistemohen në klasat sipas grup moshës.
“Sistemimi i tyre ka qenë më i vështirë se dallojnë në moshë. Dmth njëri është nëntë vjeçar dhe tjetri është 12 vjeçar. Këto raste duhet me qenë shumë të kujdesshëm pasi vijueshmëria e tyre duhet me qenë në klasën e parë, andaj kemi kërkuar edhe prej DKA-së që të na sigurojnë asistente meqenëse mësueset fatmirësisht i kanë pranuar tani janë vetëm në klasën e dytë dhe jemi duke u munduar që ata nxënës të sistemohen sipas moshës”, tha Ahmeti.
Por ani pse kanë paraqitur kërkesë në DKA për asistente, ata nuk kanë marrë ende mbështetje.
“Për momentin nuk kanë asistente por do të sigurohet meqenëse është konkursi i hapur edhe po shpresojmë që në një të ardhme të afërt edhe ata do të kenë asistente”, tha Ahmeti.
E sipas psikologes puna me këta nxënës nuk është e lehtë.
“Pjesa më e madhe e punës bie në supet e mësimdhënësit, ndërsa ne tani kemi takime psikologjike, barra këtë vit i bie mësueses. Viti i parë i këtyre grupmoshave ka qenë shumë i vështirë, vështirësia e adaptimit, socializmit, hyrja në procesin mësimor, mos të flasim për ngritjen akademike. Mirëpo mësueset vetëm se janë duke i kaluar këto sfida”, tha psikologia e shkollës, Selvije Tërrnava.
Në shkollën “Daut Bogujevci” aktualisht janë 48 fëmijë me aftësi të kufizuar, ndërsa nga komuna janë të punësuara tri asistente.