Drejtori i Turizmit në Komunën e Deçanit, Isuf Demhasaj ka pritur sot përfaqësuesit e Organizatës Turistike të Ulqinit, duke përfshirë Arber Haxhibrahimi, koordinator për Evente dhe Manifestime, si dhe pjesën e stafit të tij.
Gjatë këtij takimi, Organizata Turistike e Ulqinit dhuroi një sasi të madhe me mandarina për rreth 100 fëmijë nga familjet në nevojë, si pjesë e kontributit të vazhdueshëm në kuadër të binjakëzimit të dy komunave.
“Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, si dhe ndamë përvoja të vlefshme midis dy komunave të binjakëzuara, për të forcuar lidhjet tona dhe për të ndihmuar në zhvillimin e përbashkët”, ka thënë Isuf Demhasaj, drejtor i Turizmit në Deçan.
Përveç komunës së Deçanit, Organizata e Turizmit të Ulqinit dhuroi donacion edhe për Komunën e Pejës, nesër pritet të dhuroj në Komunën e Prishtinës, duke vizituar edhe shtëpinë e të moshuarve.