Më pak se 20 për qind e pronave në Kosovë janë të regjistruar në emër të grave. Nga më shumë se 625 mijë prona të regjistruara në Kosovë, vetëm 126 mijë janë në pronësi të grave. Ani pse ligji mundëson që gratë të gëzojnë të drejtën e trashëgimisë, kjo nuk ndodhë në praktikë. Profesorë e ekspertë ligjor konsiderojnë se shteti e ka për detyrë që gratë të gëzojnë këtë të drejtë. Kështu u tha në tryezën e diskutimit me temë "Të drejtat pronësore të grave: Korniza ligjore, teoria dhe praktika”, të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Gjendja aktuale e të drejtave pronësore të grave, sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, nuk është e mirë.
Qelaj: Më pak se 20 për qind e grave kanë të regjistruara pronat në emër të tyre
“Gjendja aktuale e të drejtave pronësore sipas statistikave që kemi siguruar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës nuk është e mirë. Më pak se 20 për qind të grave sot kanë të regjistruar pronat në emër të tyre. Kjo nuk është matës i saktë i respektimit të të drejtave pronësore të grave sepse vetëm regjistrimi i pronave nuk tregon krejt aspektet që ndërlidhen me të drejtat pronësore. Mbi bazën e ankesave dhe shqetësimeve që janë ngritur ne si institucion i Avokatit të Popullit kemi parë që problemet janë me numrin e vogël të grave që marrin pjesë në procedurat e trashëgimisë, pastaj problemet në ndarjen e pasurisë së fituar në martesë dhe problemet që janë me ndarjen e pasurisë familjare”, u shpreh Qelaj.
Sipas tij, gjatë zbatimit të kornizës ligjore aktuale po haset në vështirësi për implementim.
Qelaj: Gjatë zbatimit në praktikë të legjislacionit po haset në vështirësi
“Krejt këto aspekte shqetësuese për ne ndërlidhen me shumë faktorë, duke filluar nga korniza ligjore për të cilën ne shpesh herë jemi pajtuar dhe kemi konstatuar që është e mirë dhe është në përputhje me nevojat dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Por që gjatë zbatimit në praktikë të këtij legjislacioni natyrisht haset në vështirësi në problematika dhe krejt këtë kornizë ligjore është mirë të analizohet edhe në perspektivë për të ardhmen duke e ndërlidhur me atë që ka parashikuar Kodi Civil, i cili fatkeqësisht nuk po kalon dhe ka mbetur në draft”, shtoi Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se problematikë mbetët edhe ndarja e pasurisë bazuar në vlerësimin e kontributeve mes bashkëshortëve.
Në tryezën e diskutimit me temë "Të drejtat pronësore të grave: Korniza ligjore, teoria dhe praktika”, Xhevat Azemi i cili është ekspert ligjor foli për numrin e grave që kanë pronat në emër të tyre.
Azemi: Nga 625 mijë prona të regjistruara, 126 mijë janë femra
"Nëse ju referohemi statistikave, gjendja nuk është shumë e favorshme. Unë i kam nxjerrë të premten e kaluar të dhënat në Agjencinë Kadastrale. Në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 625 mijë e 913 pronarë, prej tyre 126 mijë e 166 apo 20.16 për qind janë femra. Përveç këtyre janë edhe një numër i pronave të regjistruara në emër të bizneseve që edhe aty ka femra, por prapë kjo nuk e ndryshon. Pra, 12 mijë e 355 pronarë janë bizneset por edhe kjo nuk e ndryshon këtë përqindje... Në krahasim me vitin 2015 ka një rritje prej 5 për qind, kurse në krahasim me vitin 2018 rritja është bukur e vogël, tash është një 20, nuk ka ndonjë rritje të kësaj përqindje”, theksoi ai.
Më tej, Azemi shtoi se është konsideruar se shkaqet për një gjendje të tillë janë të drejtat zakonore, normat kulturore, informaliteti e mungesa e informimit.
Edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Abdulla Aliu tha se është detyrë e shtetit qe gruaja të gëzojë pronën e saj.
Aliu: Është detyrë e shtetit që secila grua të gëzojë pronën
“Kemi një mendim se të thuash ‘ky send është i imi’ të kesh guxim të thuash ke thënë gjithçka për atë gjë. A kemi ne sot gra që në shtëpi thonë ‘kjo shtëpi është e imja’, ‘kjo veturë është e imja’, kam përshtypjen që mungon guximi që të jemi të sinqertë se çfarë kemi në pronësi tonën... Kur nuk e kemi ende nivelin e vetëdijes, është detyrë e shtetit që të gjej mekanizma që ta bëjë secilën grua me pronë pa probleme. Të ja gjejmë rrugët se si të bëhet pronare pa rënë në konflikt me prindërit, pa rënë në konflikt me vëllezërit, pa rënë në konflikt me motrat, është detyrë e shtetit”, përfundoi ai.
Trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me ligjin për familje, sipas të cilit, e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë anëtarëve të familjes pa marrë parasysh gjininë.