Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), ka bërë me dije se për shkak të erërave të forta, të shoqëruara me shi e borë, që kanë përfshirë vendin gjatë natës, disa dalje janë jashtë funksionit.
Në njoftimin e KEDS-it, thuhet se Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Ferizaj e Peja janë rajonet më të prekura.
Kjo kompani ka kërkuar mirëkuptim tek të gjithë konsumatorët e afektuar nga këto prishje dhe ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht që nga mbrëmë.
“Derisa në shumicën e këtyre rajoneve gjendja vazhdon të mbetet pa ndryshime të mëdha, ekipet e KEDS-it gjatë natës dhe që nga orët e para të mëngjesit të sotëm ndodhen në terren dhe po punojnë vazhdimisht për rikthimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike në këto rajone, për çka kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët e afektuar”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.