Rruga Prishtinë-Mitrovicë, rruga që nuk po kryhet

Kosova

Rruga Prishtinë-Mitrovicë, rruga që nuk po kryhet

Më: 22 nëntor 2024 Në ora: 23:05
Foto ilustrim

Punimet nuk po i ndalin edhe në mot të ftohtë dhe me borë. Kështu, ekskavatorë e kamionë vërshojnë çdo ditë rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

Në vitin 2009 nisën punimet për projektin që lidh qytetin e Prishtinës me atë të Mitrovicës. Ndonëse punimet ishin ndërprerë disa herë, nga Ministria e Infrastrukturës ende nuk kanë një afat të caktuar se kur do të përfundoj kjo rrugë.

Për zvarritjen e punimeve ankohen banorët. Kryetari i fshatit Mavriq, Shefqet Hajdari, thotë se punimet po i shkaktojnë telashe të shumta.

Sipas tij, kjo rrugë ka sjellë edhe pasoja fatale. “Ka pas pasoja, një rast tragjik ka ndodh në fshatin Pestovë, e kanë bo një punë që ajo është, s’di qysh bohet ajo e kanë bo një gjysmërreth dhe ka vdekur një i ri 21 vjeçar”, tha ai për RTK.

Për të evituar kolonat që shkaktohen, pjesëmarrësit në komunikacion po detyrohen të shfrytëzojnë rrugët alternative nëpër fshatra.

Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ende nuk ka një afat të caktuar se kur do të përfundojnë punimet në këtë rrugë.

“Tek rruga Prishtinë-Mitrovicë, pjesa segmenti që shkon deri në Vushtrri është duke ec mjaft mirë dhe presim që shumë shpejt të hapet, madje aktualisht për shkak të punimeve që po bëhen është duke u shfrytëzuar rruga. Besoj që shumë shpejt do të hapet, do të jetë e kryer plotësisht, është duke u asfaltuar shtresa e tretë finale e rrugës, janë duke u vendos këto mbrojtjet dhe shenjat e komunikacionit, ndërkohë që nga Vushtrria deri në Smrekonicë që është pjesa deri në Gojbulë, i kemi tre objekte të reja që duhet të ndërtohen që anë ura që veç kanë filluar punimet por do të merr kohë më tepër. Unë nuk mund të jap ndonjë premtim por mendoj që atje është duke shkuar puna me trend të shpejt”, tha ai.

Për përfundimin e këtij projekti janë dhënë data të ndryshme nga secila Qeveri. Për arsye të shpronësimit, punimet janë ndërprerë disa herë ndër vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat