Zjarre masive, prerje ilegale… Rreth 550 hektarë pyje dëmtohen në vit në Kosovë, sipas të dhënave të organizatës joqeveritare Sustainability Leadership Kosova.
Pamjet satelitore e dëshmojnë se si kanë ndryshuar pyjet e Kosovës ndër vite.
Dëmet më të mëdha i kanë pësuar pyjet në zonat kufitare të Kosovës.
SLK-ja thotë se në këto zona monitorimi i pyjeve është më i vogël, gjë që mundëson prerjet ilegale të drunjve.
Të dhënat e SLK-së thonë se, mes viteve 2000 dhe 2022, Kosova humbi gati 16 mijë hektarë tokë pyjore apo nga 2 deri në 3.5 hektarë në ditë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vetëm rreth 10-15 për qind e drunjve në toka pyjore në vend priten sipas legjislacionit në fuqi.
Për ta luftuar trendin e shpyllëzimit, kjo agjenci mbjell çdo vit fidanë të drunjve.
Vitin e kaluar u pyllëzuan mbi 140 hektarë, ndërsa këtë vit planifikohet pyllëzimi i 100 hektarëve.
Megjithatë, institucionet dhe OJQ-të fajësojnë sistemin gjyqësor për trendin e shkatërrimit të pyjeve dhe bëjnë thirrje për dënime më të mëdha.
Shumica e pyjeve në Kosovë janë pyje të ulëta. Por, nga gjithsej 430 mijë hektarët e tokës pyjore në Kosovë, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës 82 mijë hektarë cilësohen si pyje të degraduara.