Me gjithë dhunën, gratë nga pakicat etnike në Kosovë heshtin

Kosova

Me gjithë dhunën, gratë nga pakicat etnike në Kosovë heshtin

Më: 25 nëntor 2024 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Shqelma në bark, kokë, këmbë…

Një tavolinë e hedhur drejt saj…

Dhunën që A.H. e përjetonte brenda mureve të shtëpisë së saj në Ferizaj, e mbajti për vete për disa muaj.

Herën e parë kur u sulmua nga bashkëshorti, më 21 qershor të vitit 2021, ajo nuk kërkoi as trajtim mjekësor.Herën e dytë, katër muaj më vonë, vendosi të mos duronte më. Pas një jave e një dite, shkoi në stacionin e policisë në Ferizaj dhe e raportoi dhunën që e përjetoi.

Më 25 dhjetor të po atij viti, Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi bashkëshortin e saj, P.SH., me 7 muaj burgim, pasi ai e pranoi fajësinë.

Të mbijetuarës së dhunës, e komunitetit ashkali, iu desh pak kohë derisa mori vendimin për ta raportuar sulmin.

Shumë gra të tjera nga pakicat etnike në Kosovë nuk e gjejnë këtë guxim asnjëherë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi dy gra - po ashtu nga komuniteti ashkali - me histori të ngjashme. Por, në fund ato vendosën ta mbajnë historinë e tyre sekrete nga frika e zbulimit dhe paragjykimit.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se pjesa dërrmuese e rasteve të dhunës në familje raportohen nga gra me përkatësi etnike shqiptare.

Pse ka pak raste të raportuara të dhunës në familje nga pakicat etnike?

Në qershor të vitit të kaluar, një raport i Amnesty International listonte problemet që, sipas organizatës, bëjnë që “autoritetet në Kosovë t’i lënë në baltë viktimat e dhunës në familje”.

Edhe pse numri real i rasteve të dhunës në familje, në përgjithësi, besohet të jetë më i lartë se ai zyrtar, kjo vlen veçanërisht për gratë nga pakicat etnike.

Amnesty International theksoi disa sfida shtesë, të cilat i kanë gratë e pakicave etnike për ta raportuar dhunën në familje - në mesin e tyre: mungesa e besimit në institucionet shtetërore të Kosovës, varësia ekonomike ndaj abuzuesit, paragjykimet brenda komuniteteve…

Por, përveç tyre, Amnesty International përmendi edhe probleme që, sipas organizatës, është dashur të adresohen nga institucionet shtetërore, si: mungesa e informacioneve për procedurat dhe mungesa e stafit që flet gjuhët e pakicave në strehimore.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Drejtësisë nëse është ndërmarrë ndonjë hap për t’i adresuar këto probleme, por nuk mori përgjigje.

Çfarë duhet të ndryshohet?

Ndryshimi duhet të nisë qysh në fillim të edukimit, thonë nga organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në Kosovë (VORAE) për Radion Evropa e Lirë.

“Shumë gra nga këto komunitete nuk përfundojnë arsimin bazë për shkak të varfërisë, diskriminimit dhe normave tradicionale që favorizojnë djemtë për shkollim”, thonë nga VORAE.

Pa edukim të mirëfilltë dhe pa zhdukjen e stereotipeve nuk mund të ketë fuqizim të grave që vijnë nga pakicat etnike, thonë ata, pasi që këto probleme ua pamundësojnë grave të kenë përfaqësim politik.

Gratë në Kosovë, pavarësisht etnisë, kanë më shumë gjasa të jenë viktima të dhunës në familje.

Një anketë e vitit 2019 e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjeti se 59 për qind e grave në Kosovë kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale.

Sipas kësaj ankete, më të cenueshme ndaj dhunës në familje ishin gratë që jetonin në zona rurale, kishin nivele të ulëta arsimimi dhe nuk kishin pavarësi financiare.

Të dhënat e publikuara nga Komisioni Evropian thonë se rreth 50 për qind e pjesëtarëve të komunitetit rom e përfundojnë shkollimin e detyrueshëm nëntëvjeçar.

Ndërkohë, vetëm 7.3 për qind e grave rome janë të punësuara, në krahasim me shifrën prej gati 20 për qind të gjithsej grave të punësuara në Kosovë.

Për më tepër, të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës tregojnë se as një e pesta e pronave në Kosovë nuk zotërohen nga gratë.

“Kjo situatë është problematikë që i prek të gjitha komunitetet në Kosovë, por është më e theksuar te grupet e margjinalizuara, si romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët”, thonë nga VORAE.

Raporto rastet e dhunës në familje: 0800 19 999

Numri kontaktues i Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112

Numrat kontaktues të shtëpive të sigurta: 0800 800 01 dhe 0800 21 000

Raporto rastet e dhunës në Policinë e Kosovës: 192

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat