Me ligjërata, këngë, poezi e valle kanë filluar sot orët mësimore në shkolla të ciklit të mesëm të ulët, për nder të 28 Nëntorit.
Njëjtë ndodhi edhe në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, ku për të shënuar Ditën e Flamurit nxënësit ishin përkujdesur edhe të visheshin kuq e zi.
Mësuesja e klasës së pestë, Edita Qosa është munduar që qysh nga klasa e parë nxënësve të saj t’iu ofrojë njohuri për historinë e popullit shqiptar.
Qosa: Zhvillojmë aktivitete të ndryshme në mënyrë që nxënësit të mësojnë dhe të marrin njohuri rreth historisë së kombit
“Kjo festë konsiderohet si festa më madhore dhe fëmijët që nga klasa e parë, ne jemi përpjekur që atyre të iu mbjellim në mendje historinë e kombit tonë dhe çdo herë ne zhvillojmë aktivitete të ndryshme, për nder të kësaj feste... Ne edhe zhvillojmë aktivitete të ndryshme, në mënyrë që nxënësit të mësojnë dhe të marrin njohuri sa më shumë rreth historisë së kombit”, theksoi ajo.
E hijeshin 28 nëntorit ia shtojnë nxënësit, që për nder të kësaj dite kishin zgjedhur veshjet kombëtare.
Nxënësja Ema Paqarizi tha se 28 nëntori është një ditë e vlefshme për të gjithë ata, që e duan atdheun e tyre.
Paqarizi: Një ditë shumë e vlefshme për ne nxënësit dhe të gjithë njerëzit që e duan atdheun
“Është festa e flamurit edhe e di që 28 nëntori është një ditë shumë e vlefshme për ne nxënësit dhe të gjithë njerëzit, që e duan atdheun e vet”, tha Paqarizi.
Nxënësja tjetër, Melika Krasniqi ka prezantuar veshjen e saj.
Krasniqi: Kam veshur një pjesë prej teshave kombëtare
“Kam përgatitur valle, poezi, këngë dhe projekt... Kam veshur një pjesë prej teshave kombëtare dhe pjesën tjetër e kam veshur me ngjyrën e zezë që me u përshtatë me ngjyrat e flamurit kombëtar”, tha Krasniqi.
E Gent Gashi tregon sa sa shumë e do flamurin e Kastriotëve, të cilin Skënderbeu e ngriti më 28 nëntor 1443 në Krujë, e rreth të cilit u bashkuan shqiptarët.
Gashi: E kam bërë evolucionin e flamujve të Shqipërisë
“E kam bërë evolucionin e flamujve të Shqipërisë dhe himnin e kam mësuar... Më i bukuri më është dukur flamuri i Skënderbeut... Është ditë e veçantë dhe Ismail Qemali e ka shpallur me 28 nëntor në Vlorë flamurin shqiptar dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë”, vijoi Gashi.
E shoku i tij i klasës, Leka tregon se si sot mësuan për historinë e Shqipërisë.
Lekë: Kam mësuar për historinë e Shqipërisë, për Gjergj Kastriotin
“Kam mësuar për historinë e Shqipërisë, për Gjergj Kastriotin e të tjerë”, shtoi ai.
Për të shënuar sa më mirë këtë ditë ishte kujdesur Katalea Sahiti, e cila për shokët e shoqet e klasës kishte sjell disa gatime tradicionale.
Sahiti: Për 28 Nëntor kam veshur veshjet e Medvexhës
“Për 28 nëntor kam veshur veshjet e Medvexhës... Do të prezantoj ushqimin tradicional të llojllojshëm”, u shpreh Sahiti.
Tashmë është bërë traditë që shkollat në Kosovë orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë 28 Nëntorit. Ndërsa nxënësit shpalosin programe të ndryshme kushtuar 28 nëntorit.