Nga dita e premte e deri të dielën priten reshje intensive shiu e bore

Kosova

Nga dita e premte e deri të dielën priten reshje intensive shiu e bore

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 20:38
Ilustrim

Një qendër me presion të ulët atmosferik, me origjinë nga Atlantiku, ka përfshirë tashmë Evropën Perëndimore dhe atë Qendrore, ndërsa momentalisht gjendet në Poloni, duke u përshkuar nga një front i ftohtë, i cili po lëvizë drejt Evropës Juglindore.

Të premten në Kosovë do të ketë depërtimin e frontit të ftohtë që nga orët e para të 24-orëshit, duke sjell ulje të ndjeshme të temperaturave në vlerat maksimale, si dhe reshje intensive të shiut dhe borës, përfshirë edhe fundjavën.

Kohë pas kohe priten edhe erëra të forta, me shpejtësi prej 30-50 km/h, e në momente të caktuara deri në 60 km/h në lokalitete.

Këto masa do të jenë më të dobëta në aspektin termik, që nënkupton se temperaturat nuk pritet të jenë mjaftueshëm të ulëta për të favorizuar reshjet e borës në pjesën më të madhe të territorit dhe kohës. Si rezultat, reshjet kryesore mund të jenë në formën e shiut apo shqotës.

Megjithatë, edhe reshjet e vetme të borës, do të paraqiten herë pas here në zona të ulëta, sidomos të shtunën, ku mund të përfshijnë të gjithë vendin, përpara se të rikthehen gradualisht në ato të shiut vonë pasdite dhe në mbrëmje.

Dita e dielë mbetet me shumë gjasë me reshje shiu, e në zona të caktuara me reshje bore, sidomos në Rrafshin e Kosovës.

Në këto ditë, në zonat malore priten reshje të dendura bore, ku trashësia mund të arrijë deri në 50 cm.

Reshje intensive shiu e bore priten edhe në Maqedoninë e Veriut si dhe në Shqipëri, kjo e fundit pritet të përcillet me shkarkesa lokale rrufesh.

Sa i përket reshjeve të borës, ato do të jenë të përqëndruara vetëm në zonat malore në Shqipëri, ndërsa në Maqedoni të Veriut mund të paraqiten lokalisht edhe në ultësira.

Këto reshje vijnë si pasojë e ciklonit me lëvizje të ngadalshme mbi Greqi, ku atje do të jenë reshjet më intensive, duke shkaktuar edhe përmbytje. Gjithashtu, pjesa jugore e Maqedonisë së Veriut rrezikohet nga përmbytjet.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej -1 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 1 deri në 6°C, raporton MeteoKsoova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat